Tuesday, 24 August 2010

Ndërhyrja në çmimin e bukës, gabim themelor ekonomik

Rritja e çmimit të bukës në disa furra në Kosovë dhe Shqipëri ka shkaktuar pakënaqësi tek konsumatorët. Natyra e ndjeshme e këtij produkti ka bërë që politikanët “mirëdashës” ta kritikojnë Qeverinë për mos-ndërhyrje në rregullimin e çmimit. Për shembull, ekonomistja e Aleancës Kosova e Re, Mimoza Kusari-Lila, është prononcuar që, “Është shqetësuese se Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka barë plan për të marrë masa në rast të rritjes së çmimit të bukës. Edhe në vitin 2008 e kemi pas të njëjtën gjendje dhe kjo qeveri nuk ka intervenuar”. Në anën tjetër, Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës (FSBK) i ka bërë thirrje Qeverisë të ndërhyjë në tregun e bukës me subvencione.

Përderisa është e kuptueshme që fermerët nuk kanë ndonjë njohuri të veçantë për shkencën e ekonomisë, është e çuditshme dhe shqetësuese që një ekonomiste dhe veçanërisht kryetarja e Odës Ekonomike Amerikane të bëjë gabime themelore duke propozuar politika të tilla. Rregullimi i çmimeve të tregut është shembull klasik i socializmit dhe si i tillë na përkujton katastrofat që shkaktohen kur Shteti ndërhynë në ekonomi. Si kryhen këto ndërhyrje në çmime saktësisht dhe çfarë pasoja kanë ato?

Zakonisht me pretekstin se çmimet e ndonjë produkti janë rritur përtej “normales”, sikur tani në rastin e bukës, Shteti ndërhyn për t’i normalizuar ato dhe për ta bërë të mundshme blerjen e tyre nga shtresat më të varfra të popullsisë. Gjithçka tingëllon moralshëm dhe me logjikë; mirëpo ligjet ekonomike nuk mund të thyhen apo mashtrohen. Çmimet janë sinjale që bartin informacione për ofertën dhe kërkesën, ato e reflektojnë sasinë e bukës që ofrohet për tu shitur kundrejt kërkesës për ta blerë. Ndërhyrja e çfarëdo faktori të jashtëm në këtë rezultat natyror të procesit të tregut nuk mund t’i fsheh këto fakte. Ndërhyrja e Shtetit për t’i fshehur çmimet e tregut është sikur falsifikimi i peshores; sado që numrat ndryshohen pesha e personit mbi peshore mbetet e njëjtë.

Pasojat e kësaj ndërhyrje, megjithatë, janë tërësisht negative dhe vetëm sa e përkeqësojnë situatën. Ekonomia parashkollore na mëson që për një çmim më të madh, më shumë prodhues janë gati ta ofrojnë produktin e tyre, kurse për një çmim më të vogël, më shumë konsumatorë janë gati të blejnë dhe e kundërta. Tregu gjithmonë e shfaq një çmim i cili është rezultat i ekuilibrimit të ofertës dhe kërkesës. Nëse Shteti ndërhyn duke e vendosur një kufi maksimal i cili gjendet nën nivelin e ekuilibrimit, atëherë ai e bënë më pak të leverdishme prodhimin kurse e inkurajon kërkesën. Për shembull, nëse çmimi i bukës tani është 60 cent (çmimi i ekuilibrimit) kurse Shteti e përcakton atë 50 cent (çmimi maksimal nën nivelin e ekuilibrimit), atëherë më pak furra do të jenë të gatshme të shesin me këtë çmim kurse më shumë konsumatorë do të jenë të gatshëm të blejnë. Si rezultat i zvogëlimit të ofertës dhe rritjes së kërkesës ndodhin skena që na kujtojnë fillimin e viteve 90-ta në Jugosllavi: mungesa kronike të bukës. Pra pasoja kryesore e rregullimit të çmimeve për produkte është zvogëlimi drastik i sasisë së tyre. Në vend se ndërhyrja ta bëj bukën më të lirë, e bënë atë më të rrallë dhe e përkeqëson gjendjen më tej edhe për konsumatorët edhe për shitësit.

Pasojat e këqija ekonomike historikisht kanë shkaktuar probleme tjera shoqërore. Si rezultat i ndërhyrjes në çmim, dy fenomene tjera ndodhin: (1) lindin radhët e gjata dhe të mundimshme të pritjes për bukë, dhe (2), shfaqen tregjet e zeza. Natyrisht që askush nuk dëshiron ta ndërroj rahatinë e futjes lirshëm në njërën nga furrat e vendit me një kaos të përbërë nga një turmë e egër në të cilën konfliktet priten çdo sekondë. Në anën tjetër, përkundër mendimit popullor që tregjet e zeza janë të këqija, roli i tyre shoqëror është shumë i rëndësishëm. Ato i dhënë mundësi qytetarëve që ta anashkalojnë tiraninë shtetërore dhe t’i ofrojnë prodhuesve të bukës çmimin e tregut duke e marrë produktin të cilin e kërkojnë në shkëmbim. Në fakt, ekzistenca e çfarëdo tregu të zi është gjithmonë produkt i intervenimit shtetëror në ekonomi dhe asnjëherë pjesë e shkëmbimit të lirë dhe vullnetar në mes individëve në treg.

Në ekonomi është e njohur teza që një intervenim shtetëror, për shkak të natyrës gjithmonë negative të tij, e nxitë intervenimin tjetër. Për shembull, Shteti duke e parë dështimin në zvogëlimin e çmimit të bukës me ndërhyrjen e tij i fajëson prodhuesit e miellit. Në ta e vendos po të njëjtën masë si te furrat; e përcakton një kufi maksimal të çmimit mbi të cilin ofertuesit nuk mund të shesin miell. Por sado që këto masa shtypëse shtohen, ligjet ekonomike mbesin të njëjta dhe me miellin zhvillohet po i njëjti tregim. Ofertuesit largohen, rritet kërkesa dhe shfaqen mungesat. Me mungesa të miellit përkeqësohet edhe problemi i bukës. Nga kjo e shohim që një intervenim shtetëror ka quar në tjetrin, i cili gjithashtu ka dhënë rezultate negative e nga i cili pritet edhe një intervenim tjetër e kështu me radhë. Edhe me tregjet e zeza ndodhë e njëjta. Shfaqja e tyre i nxitë burokratët e Shtetit të marrin masa ndaj problemit që ata e kanë shkaktuar vetë. Historikisht është parë që ciklet pambarim të intervenimeve shtetërore në ekonomi përfundojnë në socializëm të plotë ku rrezikohet jo vetëm buka por edhe vetë jeta njerëzore.

Shkaktari i çmimit të “lartë” dhe zgjidhja e problemit

Në shkencën e ekonomisë nuk ka asnjë formë të vlerësimit të çmimeve përpos nëpërmes tregut. Vetëm veprimi lirë i ofertuesve dhe konsumatorëve mund të na japë një çmim “fer”. Nga pikëpamja ekonomike dhe etike, ne mund të flasim vetëm për ngritje ose ulje por asnjëherë për çmim të “lartë”. Metodologjia e studimit të ekonomisë është individualiste; vetëm individi bënë vlerësime subjektive për kostot dhe përfitimet e blerjes së produktit. Vetëm për individin mund të ekzistoj nocioni i produktit të shtrenjtë apo të lirë sipas kërkesave dhe mundësive relative të tij. Nocioni konfuz dhe kundërthënës i “shoqërisë” duhet të përjashtohet tërësisht nga çdo diskutim serioz si koncept kolektivist që nuk gjen fare zbatim në studimin shkencor.

Cili është shkaktari i rritjes së çmimeve rishtazi? Natyrisht që thatësia më e madhe në 50 vitet e fundit në Rusi, vend kyç në tregun botëror të rritjes dhe eksportit të grurit, është shkaktari kryesor për rritjen e çmimeve jo vetëm në Kosovë e Shqipëri por kudo në botë. Rusia e humbi 1/5 e tokës së punueshme nga thatësia dhe djegia masive e pyjeve. Presidenti Dimitri Medvedev e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme kurse Kryeministri Vladimir Putin e ndaloj eksportimin e grurit. Këta janë faktorë që mbeten larg dorës së prodhuesve vendorë e për të cilët nuk mund të bëhet asgjë. Megjithatë, shkaktarë tjerë të çmimeve më të larta të bukës janë edhe taksat shtetërore. Në Shqipëri aktualisht paguhet taksë doganore 2% kurse 20% TVSh. Në Kosovë edhe pse ka lirim për disa mjete kapitale të bujqësisë, mullisët prapë janë të ngarkuar t’i paguajnë burokratët e Qeverisë së Kosovës në dëm të tyrin personal. Taksat gjithmonë e dekurajojnë prodhimin, e ulin sasinë e produkteve dhe i rrisin çmimet (për një analizë të plotë të efektit të taksave në Kosovë, shikoni këtu).

Si mund të zgjidhet ky problem? Janë dy mënyra; njëra afat shkurtë dhe tjetra afat gjatë. Mënyra afat shkurtë nënkupton largimin e çfarëdo takse në të mirat bujqësore të cilat përfshihen në prodhimin e bukës (si p.sh.: mielli, gruri, mullinjtë si mjete kapitale, etj.). Bashkë me këtë duhet të përcillet edhe largimi i çfarëdo kontrolli mbi tregjet e bukës si dhe çfarëdo licence që mund të kërkohet për futjen në këtë treg. Vetëm konkurrenca e lirë në mes ofertuesve dhe konsumatorëve mund ta sjellë plotësimin optimal të kërkesave për bukë me çmimin më të volitshëm të mundshëm. Në afat të gjatë mënyra më e mirë për zvogëlimin e çmimeve është zhvillimi i përgjithshëm i bujqësisë nëpërmjet zhvillimit të mjeteve kapitale. Jo vetëm bujqësia por çdo sektor tjetër në ekonominë e Kosovës nuk ka rrugë tjetër pos këtë. Mu për këtë arsye investimet e huaja janë shumë të rëndësishme sepse vetëm ato e kanë kapacitetin e duhur për ta sjellë kapitalin e nevojshëm në Kosovë. Qeveria e Kosovës po i pengon këto investime pothuajse në të gjitha mënyrat e mundshme duke e penguar kështu zhvillimin ekonomik të Kosovës. Tregu i lirë, e jo Shteti, është katalizator i mirëqenies ekonomike dhe standardit më të mirë të jetesës.

Thursday, 12 August 2010

Problemi i shamisë, problem i monopolit të edukimit

Debati i mbajtjes së shamisë në institucionet edukative nuk është i ri, megjithatë është zhdukur e paraqitur disa herë dekadën e fundit. Grupi “fetar” ka argumentuar në favor të shamisë, kryesisht mbi bazën e lirisë së shprehjes dhe të fesë. Grupi “laik” në anën tjetër ka argumentuar kundër, kryesisht mbi idenë e ndarjes së shtetit nga feja. Që të dy palët kanë lënë në harresë shkakun kryesor të këtij problemi; faktin që shteti e ka monopolizuar tregun e shërbimeve të edukimit me krijimin e shkollimit publik. Si me çdo “shërbim” tjetër shtetëror, edhe edukimi publik duhet të financohet nga marrja e dhunshme e taksave. Problemeve të vazhdueshme të joefikasitetit i shtohet problemi tjetër i pashmangshëm: pamundësia për t’i kënaqur kërkesat e gjithë taksapaguesve. Duke qenë se brenda grupit të taksapaguesve ka të atillë që e përkrahin mbajtjen e shamisë në shkolla dhe të atillë që e kundërshtojnë, shteti përballet me një problem të harmonizimit të këtyre kërkesave. Si është e mundur që shteti–apo më saktë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë–t’i plotësoj kërkesat e dy palëve që janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me njëra tjetrën? Çdo vendim në favor të njërit grup duhet patjetër të jetë në kundërshtim me grupin tjetër.

Natyra e centralizimit të shërbimeve duke i bërë ato “publike” është e tillë që nuk mundëson dallim e atyre shërbimeve pa e dëmtuar njërën palë, pikërisht sepse të gjitha palët kanë paguar për to nëpërmjet taksave. Në treg të lirë, ata që dëshirojnë një lloj të pijes janë të lirë ta blejnë dhe produkti që i ofrohet atyre nuk e dëmton tjetrin pikërisht për shkak se tjetri nuk ka paguar për të. Në rastin e shkollimit shtetëror, paratë merren në fillim nëpërmes taksave, e pastaj ofrohen shërbimet që natyrisht nuk mund t’i përmbushin kërkesat e të gjithëve. Do të ishte sikur të gjithë të detyroheshin të paguanin për pije dhe llojin e pijeve në fund ta përcaktoj një grup i njerëzve që e quan veten “ministri” dhe pretendon se e din cila na pëlqen neve më shumë. Por problemi është që jo të gjithë e dëshirojnë të njëjtin produkt dhe duke qenë se ata veç kanë paguar për të, shteti nuk është në gjendje ta mbajë premtimin e tij duke mos e ofruar atë për të cilën ka marrë para. Konfliktet e interesit në pronat publike si shkollat nuk janë të kufizuara vetëm tek feja. Shembull është pamundësia e klasave më të vogla sepse ligjet bazë ekonomike na mësojnë që shërbimet apo të mirat me çmim zero (si p.sh., shkollat publike) nxisin kërkesë absolute kundrejt një ofertë të pamjaftueshme. Shembull tjetër i konfliktit është kërkesa për uniforma shkollore në njërën anë dhe ajo e atyre që mendojnë se duhet të jenë të lirë të zgjedhin veshjen e tyre.

Në kontrast të plotë me monopolin shtetëror të edukimit, tregu i lirë i përmbush pothuajse të gjitha kërkesat e studentëve. Mundësia e përfitimit, e cila i detyron biznesmenët t’i shërbejnë konsumatorëve, mund të funksionoj në tregun e edukimit njëjtë sikur në tregun e pijeve, të veturave, apo të shërbimeve mjekësore. Duke qenë se ka kërkesë për edukim prej atyre që dëshirojnë të mbajnë shaminë në shkollë, do të ishte e leverdishme për biznesmenët të hapin shkolla, si medresetë, që i pranojnë nxënësit e tillë. Në anën tjetër, “laikët” do të ishin të lirë të zgjedhin shkollat ku pronarët privatë nuk do të lejonin mbajtjen e shamive. Kjo situatë do të ishte në harmoni të plotë me të dy palët sepse nuk do t’i detyronte ta përdorin të njëjtin institucion publik për të cilin kanë paguar paraprakisht por nuk i gëzojnë shërbimet e plota. Natyrisht, me “decentralizimin” e shkollimit do të krijohej një llojshmëri më e madhe se vetëm ajo e krijimit të shkollave pro shamisë dhe kundër. Për shembull, shkollimi fillor do të shkurtohej ose zgjatej varësisht nga niveli “optimal”. Specializimet në fusha të ndryshme si fizika, kimia, ose muzika do të mund të fillonin më herët se në sistemin e centralizuar shtetëror të tanishëm. Vendimet nuk do të merreshin nga një bord burokratik që është zgjedhur në mënyrë arbitrare por nga pronarë privatë investimi i të cilëve do të varej nga ofrimi shërbimeve që janë në pajtueshmëri me kërkesat e studentëve si konsumatorë. Natyrisht, në një sistem të tillë të edukimit privat nuk do të ishte etike sikur dëshira për të mbajtur shamitë (apo çfarëdo dëshire tjetër) të imponohet kundër kërkesave të pronarëve sepse askush nuk ka drejtë ti përcaktoj rregullat në shtëpinë e tjetrit. Megjithatë, një tentim i tillë vështirë se do të ekzistonte pikërisht për shkak të numrit të madh (në krahasim me tani) të shkollave që i përkrahin shamitë.

E vetmja mënyrë që problemi i konflikteve të zgjidhet dhe kërkesat e studentëve pro dhe kundër shamisë të plotësohen është largimi i monopolit shtetëror mbi edukimin. Përveç që shkollat publiket duhet të shuhen dhe të privatizohen, shteti gjithashtu duhet të largohet plotësisht nga rregullimi i tregut nëpërmes licencave e akreditimeve. Në fushën e edukimit, së paku, duhet të ekzistoj liria e plotë ofrimit të çfarëdo shërbimi, vlerësimi i të cilit do të bëhej jo nga “ekspertë” të caktuar vetë por nga kritikët, prindërit dhe mbi të gjitha studentët të cilët presin të përfitojnë nga këto shërbime.