Thursday 30 September 2010

Migration / Migracion

I have moved from Blogger to Wordpress because I find the formatting to be easier and the whole service to be more diverse. The name of the blog is the same, find it in: ideasonliberty.wordpress.com

Kam kaluar nga Blooger tek Wordpress sepse redaktimi eshte me i lehte dhe i gjithe sherbimi me i llojllojshem. Emri i blog-ut nuk ka ndryshuar, gjejeni tek: ideasonliberty.wordpress.com

Saturday 18 September 2010

Paradigma tragjike që shoqëria dhe ekonomia zhvillohen nga Shteti

Një veti që vazhdimisht e kam vërejtur tek popujt më pak të zhvilluar, si shqiptarët, është që në vend se të ketë llojshmëri në mendime, ka llojshmëri në fakte. Për shembull, po ti pyesësh 10 shqiptarë për të kaluarën historike (faktet), do ti marrësh 9 përgjigje të ndryshme. Por po t’i pyesësh për rolin ose meritat e ndonjë figure historike (mendimin personal), pothuajse të gjithë do të japin përgjigjen e njëjtë. Në botën e zhvilluar Perëndimore, faktet kuptohen pothuajse njëjtë nga të gjithë. Janë opinionet ato të cilat ndryshojnë. Shqiptarëve duket sikur edukimi i dobët nuk i ka dhënë atyre bazën e fuqishme dhe besimin e duhur për të krijuar mendime personale që ndryshojnë nga ato të tjerëve. Si rezultat, mendimet e tyre, sidomos ato për problemet shoqërore dhe ekonomike, kolektivizohen dhe shpesh janë shumë të ngjashme.

Njëri prej këtyre mendimeve të përbashkëta e tejet të shpeshta është paradigma që Shteti është përgjegjës ose katalizator i zhvillimit shoqëror dhe ekonomik. Nuk ka dyshim që shqiptarët besojnë tepër në Shtet dhe e shohin atë si sinonim të shoqërisë. Kur Shteti është i “fortë”, edhe ata janë. Zhvillimi i shoqërisë do të thotë zhvillimin e Shtetit. Pothuajse në çdo rast kur në lajme (në internet) ceken problemet ekonomike të Kosovës, lexuesit do të komentojnë me frazën: “Ne nuk kemi shtet”. Në ato lajme ku të arriturat ekonomike të ndonjë shoqërie tjetër përmenden; lexuesit shpesh do të përgjigjen me: “Ah, shtet i fortë”. Ky mendim madje thellohet aq shumë sa që roli i Shtetit nuk mbetet më vetëm si mjet por shëndrrohet në qëllim. P.sh. shpesh i kam dëgjuar disa duke thënë se këtë apo atë duhet ta bëjmë “për Shtetin”, e jo për vet individin apo shoqërinë.

Evropianët, si krahasim, e gjejnë një rol të konsiderueshëm për Shtetin por asnjëherë nuk e shohin atë si prodhues përfundimtar të mirëqenies ose planifikues të shoqërisë së “drejtë”. Anglo-saksonët, në anën tjetër, historikisht e kanë parë Shtetin si një institucion të pamoralshëm dhe joefikas i cili duhet të kufizohet sa më shumë që është e mundur. Nga e morën shqiptarët këtë ide krejtësisht tjetër nga ajo e evropianëve dhe anglo-saksonëve për rolin e Shtetit në shoqëri? Mendimi im personal është i dyfishtë; së pari, dominimi i kulturës së Lindjes që është në përgjithësi shumë më kolektiviste se ajo Perëndimore, dhe nën dy, periudha e socializmit në të cilën Shteti mori rol thelbësor në organizimin ekonomik të shoqërisë në Kosovë e sidomos në Shqipëri. Megjithatë, arsyeja e saktë për pritjet që shqiptarët i kanë tek Shteti duhet të kërkohet nëpërmes studimeve të thella historike, sociologjike dhe psikologjike dhe shpresoj që në të ardhmen kjo arsye do të hedhet në dritë.

Duke qenë se shqiptarët kanë besim aq të madh në Shtetin, ata e fajësojnë pikërisht atë për pakënaqësitë shoqërore dhe ngecjen ekonomike. Kjo është pasojë që rrjedh logjikisht. Shqiptarët e shohin standardin e tyre të ulët të jetesës si rezultat të “dobësisë” së Shtetit, një term të cilin rrallë kush nga ata lodhet ta definoj. Ndoshta një definicioni i mirë i kësaj dobësie do të ishte korrupsioni. Si rezultat, Shqiptarët vazhdimisht mendojnë se problemet mund të zgjidhen vetëm atëherë kur Shteti të “forcohet”, do të thotë, të lirohet nga korrupsioni. Vetëm kur në Shtet të vijnë individë të pa korruptuar do të punësohen ekspertë të cilët do ta vënë këtë makinë të planifikimit shoqëror në lëvizje siç duhet. Vetëm atëherë mund të ketë zhvillim shoqëror dhe ekonomik.

Paradigma shqiptare për rolin e Shtetit është tragjikisht e gabuar. Ta kërkosh zhvillimin e shoqërisë apo ekonomisë nga Shteti do të thotë të kërkosh planifikim qendror si në rrafshin etik edhe në atë ekonomik. Është e pamundur të përfshihet këtu i tërë argumenti kundër Shtetit dhe pasojave shkatërrimtare të tij. Megjithatë, është e mundur që logjikisht, me pak fjalë, të demantohet ideja idealiste që nëse ka vullnet të mjaftueshëm mund të ketë shtet të pa korruptuar.

Korrupsioni lind dhe vdesë me Shtetin

Shqiptarët idealistë të cilët presin aq shumë nga Shteti duhet ta kuptojnë që vetë Shteti si rregullim institucional e prodhon dhe zhvillon korrupsionin. Korrupsioni nuk është rezultat i ndonjë mungese të përvojës në shërbimin publik apo i ndonjë erozioni moral të shoqërisë, ai është thjeshtë trajtë e pandarë e Shtetit. Sa më i madh dhe më i përfshirë që është Shteti në shoqëri, aq më i madh është korrupsioni. Vetë definicioni i korrupsionit nënkupton shpërdorimin e fondeve publike, dhe sa më shumë që Shteti merr fonde nga sektori privat dhe i bartë ato në sektorin publik, aq më shumë para do të kenë politikanët për t’i shpërdoruar.

Fakti që korrupsioni ndryshon në nivele, p.sh. është shumë më i ulët në Evropën Perëndimore se sa në atë Lindore, nuk do të thotë që mund të shkëputet si fenomen nga institucioni i Shtetit. Në sektorin privat s’mund të ketë korrupsion pikërisht për faktin se prona i takon individit i cili i merr vendimet për të. Në Shtet, çdo vendim të ciln politikanët ose burokratët e marrin vlen për pronën e dikujt tjetër (p.sh. licencat për ndërtim të shtëpive) apo për pronën të cilën Shteti e ka marrë dhunshëm nën kontroll (p.sh. taksat). Si rezultat, qasja që burokratët e kanë ndaj pronës së huaj është thelbësisht ndryshe nga ajo që e kanë për pronën e tyre.

Megjithatë, problemi kryesor te ideja që Shteti mund të pastrohet nga korrupsioni është që nuk ka mekanizëm kontrollues. Nëse korrupsioni i prek të gjithë pjesëtarët e Shtetit, si është e mundur që t’i gjejmë ata pjesëtarë të cilët na bindin se nuk do të korruptohen dhe do t’i kontrollojnë të tjerët? Si është e mundur që nga një bashkësi e njëjtë të gjinden elemente që janë të ndryshme? Është e pamundur që të krijohen mekanizma kontrolli, në formë hierarkie, të cilët e mbikëqyrin zinxhirin e vendimmarrjes në Shtet dhe e mbajnë korrupsionin nën kontroll. Kush do t’i kontrolloj këta mekanizma kontrollues? Apo thjesht do të duhet t’i besojmë? Çka do t’i ndaloj këta mekanizma të bashkëngjiten me vet të korruptuarit si bashkëpunëtorë? Mos vallë e drejta ynë për të votuar dhe për t’i larguar ata nga pozita si dënim për imoralitetin e tyre? Por ne veç e kemi një mekanizëm të tillë, i cili quhet demokraci, e i cili nuk na ka sjellë rezultatet që po i kërkojmë në praktikë.

Nuk mund të ketë Shtet dhe të mos ketë korrupsion njëkohësisht. Ato janë produkte komplementare të cilat e nxisin dhe rrisin njëra tjetrën. E vetmja zgjidhje e drejtë është sistemi i tregut të lirë në të cilin shërbimet shkëmbehen në mënyrë vullnetare. Duke qenë se secili është kontrollues i pronës së tij, nxitja e secilit individ për ta përdorur atë pronë në mënyrën më efikase dhe në mirë të gjithë shoqërisë do të jetë maksimale. Konkurrenca e lirë e rritë kualitetin, inovacionin dhe i ulë çmimet për çfarëdo shërbimi që është fjala, qoftë prodhimi i Coca Colës apo edhe ofrimi i shërbimeve të mbrojtjes. Shteti, i cili në të vërtetë është vetëm sinonim i dhunës dhe planifikimit qendror, ka vetëm rol negativ në shoqëri.

Monday 13 September 2010

Paradoksi politik i VETËVENDOSJE!-s

Nëse ndërkombëtarët janë kolonizatorë dhe duhet të largohen e ta lënë Kosovën të vetëqeveriset, si do të mbrohet Kosova ushtarakisht? Është e qartë që Serbia do të futet në Kosovë nëse KFOR-i nuk është aty. Ajo madje veç është e përfshirë ushtarakisht në veri edhe përkundër prezencës së KFOR-it. Vetëm një alternativë ekziston: ajo që është përdorur kur ka filluar lufta çlirimtare. Por nëse ajo alternativë ka dështuar gjatë luftës dhe si rezultat është kërkuar intervenimi i ndërkombëtarëve, atëherë çfarë arsyeje kanë lindur sot që na bëjnë të mendojmë se mund të funksionoj? Shqiptarët janë shumë pak të armatosur sot (pas çarmatosjes më 1999) dhe më pak të prirë për të luftuar pasi që e kanë krijuar një mirëqenie deri diku, të cilën nuk dëshirojnë ta rrezikojnë me konflikt fizik që ua përkujton atyre tmerret e 1998-99. (Ndaluni për një moment dhe pyetni veten a jeni të gatshëm ta përjetoni një konflikt të ngjashëm me atë para 11 viteve).

A është Shqipëria e gatshme ta mbroj Kosovën ushtarakisht? Shqipëria s’ka qenë e gatshme ta bëjë këtë gjatë luftës (përveç ndihmës nominale me armë) dhe ka pak arsyeje për të besuar se do ta bënte sot. Ashtu si në Kosovë, edhe në Shqipëri politikanët janë tërësisht të korruptuar e të shantazhuar dhe interesi i tyre kryesor nuk është mirëqenia e popullit shqiptar. Do të ishte naive të besohet që Berisha & co. do t’i rezistonin presioneve ndërkombëtare për të mos intervenuar në Kosovë. Ndërkombëtarët në anën tjetër do t’i bënin atyre presion sepse do të synonin ta arsyetonin prezencën e tyre të mëparshme në Kosovë duke vënë në pah nevojën që Kosova e ka për ndihmë. Nëse Shqipëria do të lihej të intervenonte, kjo nevojë për ndihmë do të shuhej. Ndërkombëtarët kanë mjete të forta për ta shantazhuar Shqipërinë, duke filluar prej informatave që i kanë për aferat e politikanëve e deri te çelësi i hyrjes në BE. Por edhe nëse përfshihet Shqipëria për të na mbrojtur, do të jetë e vështirë të luftohet kundër Serbisë sepse është thjeshtë ushtarakisht më e fortë. Edhe po të shmangej okupimi i plotë, kontrolli territorial mbi Kosovën do të ishte padyshim më i vogël se tani. Kjo e gjitha pa e llogaritur koston e luftës të cilët tani të gjithë e dimë.

Levizja VETËVENDOSJE! shpesh na tregon për problemet në Kosovë por rrallë herë për zgjidhjen e tyre. Sa do që ndërkombëtarët po i shkelin të drejtat tona, largimi i tyre do të nënkuptonte largimin e KFOR-it dhe si rezultat ri-fillimin e luftës. Është e qartë që e vetmja rrugëdalje nga situata e tanishme është ndërtimi i forcave ushtarake të cilat në të ardhmen do të jenë të gatshme të na mbrojnë. Por meqë për ndërtimin e forcave të tilla përgjegjës janë ndërkombëtarët, dhe meqë ata e kanë aprovuar vetëm një forcë simbolike (FSK-në), është e qartë që ne s’do t’i kemi këto forca dhe do të vazhdojmë të jemi të varur në KFOR-in. E ardhmja ynë është e zymtë.

Tuesday 24 August 2010

Ndërhyrja në çmimin e bukës, gabim themelor ekonomik

Rritja e çmimit të bukës në disa furra në Kosovë dhe Shqipëri ka shkaktuar pakënaqësi tek konsumatorët. Natyra e ndjeshme e këtij produkti ka bërë që politikanët “mirëdashës” ta kritikojnë Qeverinë për mos-ndërhyrje në rregullimin e çmimit. Për shembull, ekonomistja e Aleancës Kosova e Re, Mimoza Kusari-Lila, është prononcuar që, “Është shqetësuese se Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka barë plan për të marrë masa në rast të rritjes së çmimit të bukës. Edhe në vitin 2008 e kemi pas të njëjtën gjendje dhe kjo qeveri nuk ka intervenuar”. Në anën tjetër, Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës (FSBK) i ka bërë thirrje Qeverisë të ndërhyjë në tregun e bukës me subvencione.

Përderisa është e kuptueshme që fermerët nuk kanë ndonjë njohuri të veçantë për shkencën e ekonomisë, është e çuditshme dhe shqetësuese që një ekonomiste dhe veçanërisht kryetarja e Odës Ekonomike Amerikane të bëjë gabime themelore duke propozuar politika të tilla. Rregullimi i çmimeve të tregut është shembull klasik i socializmit dhe si i tillë na përkujton katastrofat që shkaktohen kur Shteti ndërhynë në ekonomi. Si kryhen këto ndërhyrje në çmime saktësisht dhe çfarë pasoja kanë ato?

Zakonisht me pretekstin se çmimet e ndonjë produkti janë rritur përtej “normales”, sikur tani në rastin e bukës, Shteti ndërhyn për t’i normalizuar ato dhe për ta bërë të mundshme blerjen e tyre nga shtresat më të varfra të popullsisë. Gjithçka tingëllon moralshëm dhe me logjikë; mirëpo ligjet ekonomike nuk mund të thyhen apo mashtrohen. Çmimet janë sinjale që bartin informacione për ofertën dhe kërkesën, ato e reflektojnë sasinë e bukës që ofrohet për tu shitur kundrejt kërkesës për ta blerë. Ndërhyrja e çfarëdo faktori të jashtëm në këtë rezultat natyror të procesit të tregut nuk mund t’i fsheh këto fakte. Ndërhyrja e Shtetit për t’i fshehur çmimet e tregut është sikur falsifikimi i peshores; sado që numrat ndryshohen pesha e personit mbi peshore mbetet e njëjtë.

Pasojat e kësaj ndërhyrje, megjithatë, janë tërësisht negative dhe vetëm sa e përkeqësojnë situatën. Ekonomia parashkollore na mëson që për një çmim më të madh, më shumë prodhues janë gati ta ofrojnë produktin e tyre, kurse për një çmim më të vogël, më shumë konsumatorë janë gati të blejnë dhe e kundërta. Tregu gjithmonë e shfaq një çmim i cili është rezultat i ekuilibrimit të ofertës dhe kërkesës. Nëse Shteti ndërhyn duke e vendosur një kufi maksimal i cili gjendet nën nivelin e ekuilibrimit, atëherë ai e bënë më pak të leverdishme prodhimin kurse e inkurajon kërkesën. Për shembull, nëse çmimi i bukës tani është 60 cent (çmimi i ekuilibrimit) kurse Shteti e përcakton atë 50 cent (çmimi maksimal nën nivelin e ekuilibrimit), atëherë më pak furra do të jenë të gatshme të shesin me këtë çmim kurse më shumë konsumatorë do të jenë të gatshëm të blejnë. Si rezultat i zvogëlimit të ofertës dhe rritjes së kërkesës ndodhin skena që na kujtojnë fillimin e viteve 90-ta në Jugosllavi: mungesa kronike të bukës. Pra pasoja kryesore e rregullimit të çmimeve për produkte është zvogëlimi drastik i sasisë së tyre. Në vend se ndërhyrja ta bëj bukën më të lirë, e bënë atë më të rrallë dhe e përkeqëson gjendjen më tej edhe për konsumatorët edhe për shitësit.

Pasojat e këqija ekonomike historikisht kanë shkaktuar probleme tjera shoqërore. Si rezultat i ndërhyrjes në çmim, dy fenomene tjera ndodhin: (1) lindin radhët e gjata dhe të mundimshme të pritjes për bukë, dhe (2), shfaqen tregjet e zeza. Natyrisht që askush nuk dëshiron ta ndërroj rahatinë e futjes lirshëm në njërën nga furrat e vendit me një kaos të përbërë nga një turmë e egër në të cilën konfliktet priten çdo sekondë. Në anën tjetër, përkundër mendimit popullor që tregjet e zeza janë të këqija, roli i tyre shoqëror është shumë i rëndësishëm. Ato i dhënë mundësi qytetarëve që ta anashkalojnë tiraninë shtetërore dhe t’i ofrojnë prodhuesve të bukës çmimin e tregut duke e marrë produktin të cilin e kërkojnë në shkëmbim. Në fakt, ekzistenca e çfarëdo tregu të zi është gjithmonë produkt i intervenimit shtetëror në ekonomi dhe asnjëherë pjesë e shkëmbimit të lirë dhe vullnetar në mes individëve në treg.

Në ekonomi është e njohur teza që një intervenim shtetëror, për shkak të natyrës gjithmonë negative të tij, e nxitë intervenimin tjetër. Për shembull, Shteti duke e parë dështimin në zvogëlimin e çmimit të bukës me ndërhyrjen e tij i fajëson prodhuesit e miellit. Në ta e vendos po të njëjtën masë si te furrat; e përcakton një kufi maksimal të çmimit mbi të cilin ofertuesit nuk mund të shesin miell. Por sado që këto masa shtypëse shtohen, ligjet ekonomike mbesin të njëjta dhe me miellin zhvillohet po i njëjti tregim. Ofertuesit largohen, rritet kërkesa dhe shfaqen mungesat. Me mungesa të miellit përkeqësohet edhe problemi i bukës. Nga kjo e shohim që një intervenim shtetëror ka quar në tjetrin, i cili gjithashtu ka dhënë rezultate negative e nga i cili pritet edhe një intervenim tjetër e kështu me radhë. Edhe me tregjet e zeza ndodhë e njëjta. Shfaqja e tyre i nxitë burokratët e Shtetit të marrin masa ndaj problemit që ata e kanë shkaktuar vetë. Historikisht është parë që ciklet pambarim të intervenimeve shtetërore në ekonomi përfundojnë në socializëm të plotë ku rrezikohet jo vetëm buka por edhe vetë jeta njerëzore.

Shkaktari i çmimit të “lartë” dhe zgjidhja e problemit

Në shkencën e ekonomisë nuk ka asnjë formë të vlerësimit të çmimeve përpos nëpërmes tregut. Vetëm veprimi lirë i ofertuesve dhe konsumatorëve mund të na japë një çmim “fer”. Nga pikëpamja ekonomike dhe etike, ne mund të flasim vetëm për ngritje ose ulje por asnjëherë për çmim të “lartë”. Metodologjia e studimit të ekonomisë është individualiste; vetëm individi bënë vlerësime subjektive për kostot dhe përfitimet e blerjes së produktit. Vetëm për individin mund të ekzistoj nocioni i produktit të shtrenjtë apo të lirë sipas kërkesave dhe mundësive relative të tij. Nocioni konfuz dhe kundërthënës i “shoqërisë” duhet të përjashtohet tërësisht nga çdo diskutim serioz si koncept kolektivist që nuk gjen fare zbatim në studimin shkencor.

Cili është shkaktari i rritjes së çmimeve rishtazi? Natyrisht që thatësia më e madhe në 50 vitet e fundit në Rusi, vend kyç në tregun botëror të rritjes dhe eksportit të grurit, është shkaktari kryesor për rritjen e çmimeve jo vetëm në Kosovë e Shqipëri por kudo në botë. Rusia e humbi 1/5 e tokës së punueshme nga thatësia dhe djegia masive e pyjeve. Presidenti Dimitri Medvedev e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme kurse Kryeministri Vladimir Putin e ndaloj eksportimin e grurit. Këta janë faktorë që mbeten larg dorës së prodhuesve vendorë e për të cilët nuk mund të bëhet asgjë. Megjithatë, shkaktarë tjerë të çmimeve më të larta të bukës janë edhe taksat shtetërore. Në Shqipëri aktualisht paguhet taksë doganore 2% kurse 20% TVSh. Në Kosovë edhe pse ka lirim për disa mjete kapitale të bujqësisë, mullisët prapë janë të ngarkuar t’i paguajnë burokratët e Qeverisë së Kosovës në dëm të tyrin personal. Taksat gjithmonë e dekurajojnë prodhimin, e ulin sasinë e produkteve dhe i rrisin çmimet (për një analizë të plotë të efektit të taksave në Kosovë, shikoni këtu).

Si mund të zgjidhet ky problem? Janë dy mënyra; njëra afat shkurtë dhe tjetra afat gjatë. Mënyra afat shkurtë nënkupton largimin e çfarëdo takse në të mirat bujqësore të cilat përfshihen në prodhimin e bukës (si p.sh.: mielli, gruri, mullinjtë si mjete kapitale, etj.). Bashkë me këtë duhet të përcillet edhe largimi i çfarëdo kontrolli mbi tregjet e bukës si dhe çfarëdo licence që mund të kërkohet për futjen në këtë treg. Vetëm konkurrenca e lirë në mes ofertuesve dhe konsumatorëve mund ta sjellë plotësimin optimal të kërkesave për bukë me çmimin më të volitshëm të mundshëm. Në afat të gjatë mënyra më e mirë për zvogëlimin e çmimeve është zhvillimi i përgjithshëm i bujqësisë nëpërmjet zhvillimit të mjeteve kapitale. Jo vetëm bujqësia por çdo sektor tjetër në ekonominë e Kosovës nuk ka rrugë tjetër pos këtë. Mu për këtë arsye investimet e huaja janë shumë të rëndësishme sepse vetëm ato e kanë kapacitetin e duhur për ta sjellë kapitalin e nevojshëm në Kosovë. Qeveria e Kosovës po i pengon këto investime pothuajse në të gjitha mënyrat e mundshme duke e penguar kështu zhvillimin ekonomik të Kosovës. Tregu i lirë, e jo Shteti, është katalizator i mirëqenies ekonomike dhe standardit më të mirë të jetesës.

Thursday 12 August 2010

Problemi i shamisë, problem i monopolit të edukimit

Debati i mbajtjes së shamisë në institucionet edukative nuk është i ri, megjithatë është zhdukur e paraqitur disa herë dekadën e fundit. Grupi “fetar” ka argumentuar në favor të shamisë, kryesisht mbi bazën e lirisë së shprehjes dhe të fesë. Grupi “laik” në anën tjetër ka argumentuar kundër, kryesisht mbi idenë e ndarjes së shtetit nga feja. Që të dy palët kanë lënë në harresë shkakun kryesor të këtij problemi; faktin që shteti e ka monopolizuar tregun e shërbimeve të edukimit me krijimin e shkollimit publik. Si me çdo “shërbim” tjetër shtetëror, edhe edukimi publik duhet të financohet nga marrja e dhunshme e taksave. Problemeve të vazhdueshme të joefikasitetit i shtohet problemi tjetër i pashmangshëm: pamundësia për t’i kënaqur kërkesat e gjithë taksapaguesve. Duke qenë se brenda grupit të taksapaguesve ka të atillë që e përkrahin mbajtjen e shamisë në shkolla dhe të atillë që e kundërshtojnë, shteti përballet me një problem të harmonizimit të këtyre kërkesave. Si është e mundur që shteti–apo më saktë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë–t’i plotësoj kërkesat e dy palëve që janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me njëra tjetrën? Çdo vendim në favor të njërit grup duhet patjetër të jetë në kundërshtim me grupin tjetër.

Natyra e centralizimit të shërbimeve duke i bërë ato “publike” është e tillë që nuk mundëson dallim e atyre shërbimeve pa e dëmtuar njërën palë, pikërisht sepse të gjitha palët kanë paguar për to nëpërmjet taksave. Në treg të lirë, ata që dëshirojnë një lloj të pijes janë të lirë ta blejnë dhe produkti që i ofrohet atyre nuk e dëmton tjetrin pikërisht për shkak se tjetri nuk ka paguar për të. Në rastin e shkollimit shtetëror, paratë merren në fillim nëpërmes taksave, e pastaj ofrohen shërbimet që natyrisht nuk mund t’i përmbushin kërkesat e të gjithëve. Do të ishte sikur të gjithë të detyroheshin të paguanin për pije dhe llojin e pijeve në fund ta përcaktoj një grup i njerëzve që e quan veten “ministri” dhe pretendon se e din cila na pëlqen neve më shumë. Por problemi është që jo të gjithë e dëshirojnë të njëjtin produkt dhe duke qenë se ata veç kanë paguar për të, shteti nuk është në gjendje ta mbajë premtimin e tij duke mos e ofruar atë për të cilën ka marrë para. Konfliktet e interesit në pronat publike si shkollat nuk janë të kufizuara vetëm tek feja. Shembull është pamundësia e klasave më të vogla sepse ligjet bazë ekonomike na mësojnë që shërbimet apo të mirat me çmim zero (si p.sh., shkollat publike) nxisin kërkesë absolute kundrejt një ofertë të pamjaftueshme. Shembull tjetër i konfliktit është kërkesa për uniforma shkollore në njërën anë dhe ajo e atyre që mendojnë se duhet të jenë të lirë të zgjedhin veshjen e tyre.

Në kontrast të plotë me monopolin shtetëror të edukimit, tregu i lirë i përmbush pothuajse të gjitha kërkesat e studentëve. Mundësia e përfitimit, e cila i detyron biznesmenët t’i shërbejnë konsumatorëve, mund të funksionoj në tregun e edukimit njëjtë sikur në tregun e pijeve, të veturave, apo të shërbimeve mjekësore. Duke qenë se ka kërkesë për edukim prej atyre që dëshirojnë të mbajnë shaminë në shkollë, do të ishte e leverdishme për biznesmenët të hapin shkolla, si medresetë, që i pranojnë nxënësit e tillë. Në anën tjetër, “laikët” do të ishin të lirë të zgjedhin shkollat ku pronarët privatë nuk do të lejonin mbajtjen e shamive. Kjo situatë do të ishte në harmoni të plotë me të dy palët sepse nuk do t’i detyronte ta përdorin të njëjtin institucion publik për të cilin kanë paguar paraprakisht por nuk i gëzojnë shërbimet e plota. Natyrisht, me “decentralizimin” e shkollimit do të krijohej një llojshmëri më e madhe se vetëm ajo e krijimit të shkollave pro shamisë dhe kundër. Për shembull, shkollimi fillor do të shkurtohej ose zgjatej varësisht nga niveli “optimal”. Specializimet në fusha të ndryshme si fizika, kimia, ose muzika do të mund të fillonin më herët se në sistemin e centralizuar shtetëror të tanishëm. Vendimet nuk do të merreshin nga një bord burokratik që është zgjedhur në mënyrë arbitrare por nga pronarë privatë investimi i të cilëve do të varej nga ofrimi shërbimeve që janë në pajtueshmëri me kërkesat e studentëve si konsumatorë. Natyrisht, në një sistem të tillë të edukimit privat nuk do të ishte etike sikur dëshira për të mbajtur shamitë (apo çfarëdo dëshire tjetër) të imponohet kundër kërkesave të pronarëve sepse askush nuk ka drejtë ti përcaktoj rregullat në shtëpinë e tjetrit. Megjithatë, një tentim i tillë vështirë se do të ekzistonte pikërisht për shkak të numrit të madh (në krahasim me tani) të shkollave që i përkrahin shamitë.

E vetmja mënyrë që problemi i konflikteve të zgjidhet dhe kërkesat e studentëve pro dhe kundër shamisë të plotësohen është largimi i monopolit shtetëror mbi edukimin. Përveç që shkollat publiket duhet të shuhen dhe të privatizohen, shteti gjithashtu duhet të largohet plotësisht nga rregullimi i tregut nëpërmes licencave e akreditimeve. Në fushën e edukimit, së paku, duhet të ekzistoj liria e plotë ofrimit të çfarëdo shërbimi, vlerësimi i të cilit do të bëhej jo nga “ekspertë” të caktuar vetë por nga kritikët, prindërit dhe mbi të gjitha studentët të cilët presin të përfitojnë nga këto shërbime.

Monday 5 July 2010

Does public television ensure impartiality?

While discussing with a relative, he asked me about the libertarian position on public television. The idea of public television maintains that if the state doesn’t intervene in the market of media, private media companies (televisual or different) are free to edit and broadcast any news and this gives them the possibility to use this right to “damage” the image or reputation of an individual or group. As a result, the need for public television arises, the goal of which is to be impartial, neutral and always seek to show the truth.

Values is not property

A lot of individuals think that reputation belongs to them in the same way that their house or car does. These individuals commit a basic fallacy when they equate value with property. The whole point of property, or better said private property, is the solution of the inevitable problem of the universe we live in–scarcity. In order for us to fulfil our demands, we have to work with a scarce number of resources and this creates the need to avoid conflicts and maximize the use of these resources towards the most urgently-felt needs. Private property is not only a solution for these two problems, but also a natural right which can’t be endowed by man but only acknowledged and accepted. Value, on the other hand, is the total of thoughts that other people have for the object in discussion. Value is not rare; it can be erased, copied and changed endlessly whenever the individual desires so. Since the value is determined by the individual who observes it, value is not embedded in objects the way classical economists thought but is a result of human judgement. So value is not objective, but subjective!

If one says that he has a right to a certain value (reputation), then he is automatically also saying that others are obliged to think of him in that way. This naturally leads us to reduction ad absurdum, because positive rights, that is rights on the services of others, can’t exist. Nobody can claim a right on medical service because that implies the slavery of the doctor who is forced to offer these services. The only legitimate way for services to be offered is voluntarily. If one’s house or car is taken by force, then we are dealing with a case of robbery, but if one’s value changes then that person is in no position to claim recourse because no property was taken from him to begin with. Everybody is free to influence the thoughts of others and create impressions, this is what all do during our lives. But nobody is in a position to force somebody else to think of him the way he wants to.

Subjectivism–the inevitable problem

Knowing that value is not property but rather an abstract phenomenon created by the conscience of the individual, value can’t be measured or compared cardinally like length or temperature can. Value can’t be determined to be bad or good. In fact, the very notion of good and bad doesn’t even exist when we talk of value. Only preferences and tastes exist and they can’t be judged by other individuals because there is no basis for their judgement. Person A may think his reputation has been damaged even when person B wants to give him good press. If in the Western world one does the sign of fist with only the thumb up, one is showing approval and content. But if one does the exact same sign in Middle East, people will be offended and he can get in trouble. What is good press for one is not necessarily good press for another. How can public television solve the problem of subjectivism? It’s impossible, regardless of how professional or “moral” the editors are. The problem of subjectivism is not a mathematical task to be solved, it’s a cognitive product created by the individual for which there is no basis of judgement except the retrospective point of view.

The illusion of state

But even if we agree for the sake of the argument that the editors of public television know what is a good or a bad value because they can read the minds of every individual, the fact that individuals differ from each other makes the satisfaction of everyone impossible. But let’s skip this barrier too and let’s assume that whatever news is released reflects the value of the public. Has impartiality been achieved? Not really. It’s naive to think that the state, which is under constant pressure from interest groups, can be moral and is expected to show the news exactly how “it” thinks. Don’t forget that when we speak of the state we speak of the engine of propaganda, the corrupt organ that has historically suppressed the freedom of expression and truth in favour of special interests and bloodthirsty dictators. Everywhere in the world where there is public television special interests rush to influence the editors to broadcast their version of the “truth.” The fact that news is broadcasted that is “certified” by the public television makes the audience even less doubtful. “It wouldn’t be printed if it wasn’t true,” claims the public blindly. Special interests will be more successful in spreading lies because the gullible public will believe them more due to their blind misconception that public television guarantees impartiality. Instead of impartiality, dependency is nourished.

But this isn’t the only problem. As with every case of state management, economic problems will rear in their ugly heads. State television of Austria ORF, for example, has gone through a phase of deficits as a result of bad management. If ORF had been privately-owned, I wouldn’t have taken it as an example here because it would have vanished long time ago. The fact that it still exists shows that Austrian taxpayers are continuously funding an inefficient use of scarce resources in a manner that is in opposition with the desires of the consumers. To pay for impartiality, to get lies in return, and to finance bad management continuously doesn’t sound like a good solution.

Every state enterprise is a monopoly and as such damages private enterprises in the same industry. ORF is a strong competitor of media companies not because it serves the consumer well, but because it has an almost unlimited fund. Whilst private companies have to compete for profit with their products and services, ORF only needs to poke the government on the shoulder to tell them to use their monopoly of force and expropriate taxes. This makes it hard for private companies to compete and damages competition altogether. Economics 101 teaches us that when competition is distorted, quality falls and prices increase.

The problem of exclusivity

The inevitable problem with every state action is violence. In a free market, everything is offered voluntarily and everything can be negotiated or refused voluntarily. When the state decides to have public television, it doesn’t ask people individually whether they support the idea. In fact, it doesn’t ask them at all, it simply acts with violence. How can public television be justified when there are individuals like me who truly believe that impartiality and neutrality can only be offered by free competition between private media companies? The fact that taxpayers can’t be divided in the group of those who support the idea of public television and the group of anarcho-capitalists like me makes public television immoral. In a free market, I evaluate products and services subjectively and decide with my money. Somebody else may disagree with my evaluations but they are free to decide differently. The state doesn’t give you this option; whatever it does must be good for everyone because politicians are omnipotent and moral.

The power of free market

How can the free market solve the problems that appeared; subjectivism and the influence of interest groups? Subjectivism can be solved easily because decisions are taken individually. Everyone is free to buy that newspaper which he wants to read or watch that program which he (subjectively) thinks corresponds to his needs. Exclusivity is completely possible and this solves the problem of subjectivism. But what about interest groups? Because the property of media companies is private, it is cared for much more than public property. Instead of socializing the costs as is the case with public companies, the costs of bad management in private companies are a burden of the owners. If the owners agree to broadcast news that is distorted by interest groups, they personally shoulder the risk that if the public learns the truth the demand for their services will fall and they will face bankruptcy. Because in a free market there is competition, it’s in the interest of competitors to unmask the immoral practices of each other. Also don’t forget that in a free market consumers are much more sceptical and will believe less news to be true than in the case of public television. As a result, companies will be prompted to offer more convincing information in order to “sell” their news successfully. The methods of reporting, video filming, scientific evidence that support the news, etc., would be improved to increase credibility. All these are additional costs and companies that can’t handle them will have to leave the market. This would filter the market considerably by removing bad companies and making press more professional. Don’t forget that trust is difficult to earn in business. Business management professors say that only one in eleven lost consumers come back. Nothing in the world can compensate the lost of this trust. It’s hard to see someone pay for the costs of bankruptcy so that his distorted news can be presented. The fact that fewer companies would be willing to lie, usually only the small ones that have very little to lose, would drive up the price of lies. But even those lies that would be sold wouldn’t have much impact because they would come from small companies the information of which isn’t read much and isn’t taken so seriously. This would prompt the big companies to unmask them, bankrupt them and continue their domination.

Only the amoral and merciless market can respond to the desires of the consumer in the best manner. Its dynamism and the dependency that it imposes on private companies to serve the consumer, forces them to compete for better services and rarely for more efficient fraudulent methods.

A e garanton televizioni publik paanshmërinë?

Duke diskutuar me një të afërm, më pyeti për qëndrimin libertarian ndaj televizionit publik. Ideja e televizionit publik është që nëse shteti nuk përfshihet në tregun e mediave, kompanitë private mediale (televizive apo çfarëdo) janë të lira të redaktojnë dhe të shfaqin çfarëdo lajmi dhe kjo i mundëson atyre ta përdorin këtë drejtë për ta “dëmtuar” imazhin apo reputacionin e ndonjë individi apo grupi. Si rezultat, lind nevoja për një televizion publik i cili do të jetë i paanshëm dhe neutral e që gjithmonë synon ta shfaq lajmin e vërtetë.

Vlera nuk është pronë

Shumë individë mendojnë që reputacioni u përket atyre sikurse që u përket shtëpia apo vetura. Këta individë bëjnë gabim themeltar kur e barazojnë vlerën me pronën. E gjithë esenca e pronës, apo më mirë thënë pronës private, është zgjidhja e problemit të pashmangshëm të universit në të cilin jetojmë–rrallësisë. Për shkak se për t’i përmbushur kërkesat tona ne jemi të detyruar të racionojmë me një numër të rrallë të burimeve, lind nevoja për t’i shmangur konfliktet por gjithashtu për t’i përdorur këto burime për nevojat më urgjente. Prona private është jo vetëm zgjidhje për këto dy probleme, por është e drejtë natyrore që nuk mund të përcaktohet nga njeriu por vetëm të njihet dhe të pranohet. Vlera në anën tjetër është totali i mendimeve që tjerët e kanë për objektin në fjalë. Ajo nuk është e rrallë; mund të fshihet, kopjohet e ndryshohet pa fund sa herë që individi dëshiron. Duke qenë se vlerën e përcakton subjekti i cili vrojton, vlera nuk është e ngulitur në objekte ashtu siç mendonin ekonomistët klasikë por është rezultat i gjykimit njerëzor. Pra, vlera nuk është objektive, por subjektive!

Nëse ti thua që ke të drejtë mbi një vlerë (reputacion) të caktuar të cilën ti mendon se të përket, atëherë automatikisht po thua që të tjerët janë të detyruar të mendojnë për ty ashtu siç ti dëshiron. Natyrisht që kjo na shpije tek një përfundim absurd, sepse të drejtat pozitive, do të thotë të drejtat mbi shërbimet e tjetrit, nuk ekzistojnë. Askush nuk mund të ketë të drejtë mbi shërbimet mjekësore sepse ajo nënkupton skllavërimin e mjekut i cili është i detyruar ti ofroj ato shërbime. E vetmja mënyrë legjitime që shërbimet të ofrohen është vullnetarisht. Nëse shtëpia apo vetura të merret me dhunë, atëherë kemi të bëjmë me hajni, por nëse vlera ndaj teje ndryshon atëherë t’i nuk je në pozitë të kërkosh dëmshpërblim sepse asgjë nuk është marrë nga pronësia juaj. Gjithkush është i lirë të ndikojë tek tjetri e të krijoj përshtypje tek ai dhe këtë e bëjmë të gjithë gjatë jetës sonë. Por askush nuk mund ta detyroj tjetrin ta ketë një mendim të caktuar për të.

Subjektivizmi–ky problem që s’shmanget dot

Duke qenë se vlera nuk është pronë por një fenomen abstrakt i krijuar nga mendja e individit, vlera nuk mund të matet e krahasohet në mënyrë kardinale siç krahasohen gjatësia apo temperatura. Ajo nuk mund të dihet nëse është e mirë apo e keqe. Madje as që ekziston koncepti i së mirës dhe së keqes kur flasim për vlerë. Ekzistojnë vetëm preferencat e shijet dhe ato s’mund të gjykohen nga individët tjerë sepse nuk ka bazë për gjykimin e tyre. Personi A mund të mendojë që reputacioni i tij është dëmtuar edhe atëherë kur personi B dëshiron t’i jap imazh të mirë. Nëse në botën Perëndimore bëhet shenja me grusht të mbyllur por vetëm me gishtin e madh lartë, ajo është shprehje e miratimit apo pëlqimit. Nëse po e njëjta shenjë bëhet në Lindjen e Mesme, ajo është fyese dhe shumë lehtë mund të fus në telashe. Çka është lajm i mirë për njërin, nuk është patjetër lajm i mirë për tjetrin. Si mund ta zgjidhë televizioni publik problemin e subjektivizmit? Është e pamundshme, sa do që profesionalë dhe të “moralshëm” janë redaktorët. Problemi i subjektivizmit nuk është detyrë matematikore që mund të zgjidhet, por është produkt mendor i krijuar nga individi për të cilin nuk ka bazë të vlerësimit përpos asaj retrospektive.

Iluzioni i shtetit

Por edhe nëse themi për hir të argumentit që redaktorët e televizionit publik e dinë se çka është vlerë e mirë apo e keqe sepse mund ta lexojnë mendjen e secilit individ, fakti që individët ndryshojnë nga njëri tjetri e bënë kënaqjen e të gjithëve të pamundur. Por le ta kalojmë edhe këtë pengesë dhe të themi se çfarëdo lajmi që del nga redaktorët publik e reflekton vlerën e publikut. A është garantuar paanshmëria dhe neutraliteti? Aspak. Është naive të mendohet që shteti, i cili është pre konstante e presioneve të grupeve të interesit, të jetë i moralshëm dhe t’i shfaq lajmet mu ashtu siç mendon se janë. Mos harroni që kur flasim për shtetin po flasim për motorin e propagandës, organin e korruptuar që historikisht e ka shtypur lirinë e shprehjes dhe të vërtetën në favor të interesave të caktuara dhe diktatorëve gjakpirës. Gjithkund në botë ku ka televizion publik interesat e veçanta nguten të ndikojnë tek redaktorët që ta shfaqin versionin e tyre të së “vërtetës”. Fakti që publikut i hidhet një lajm i “certifikuar” nga televizioni publik i bënë ata edhe më pak të prirë ndaj dyshimit. “Nuk do të botohej po mos të ishte e vërtetë”, gjykon verbërisht publiku. Mu atëherë kur lajmi del nga televizioni publik interesat e veçanta do të jenë më të suksesshëm në shpërndarjen e gënjeshtrave sepse publiku sylesh do t’i besojë ato nën qëndrimin e verbër që televizioni shtetëror garanton paanshmërinë. Në vend që të garantohet paanshmëria, krijohet varshmëria.

Por ky nuk është problemi i vetëm. Si me çdo rast tjetër ku menaxhimi është shtetëror e jo privat, problemet ekonomike e nxjerrin kokën e tyre të shëmtuar. Televizioni shtetëror i Austrisë ORF, për shembull, me vite ka kaluar nëpër një fazë të deficiteve si rezultat i keq-menaxhimit. Po qe se ORF do të ishte kompani private, nuk do ta merrja shembull në këtë shkrim sepse do të ishte zhdukur shume kohë më parë. Fakti që ende ekziston tregon që taksapaguesit austriak janë vazhdimisht duke e financuar një përdorim joefikas të burimeve të rralla në kundërshtim me dëshirat e konsumatorëve. Të paguash për paanshmëri, të marrësh gënjeshtra si shpërblim dhe ta financosh keqpërdorimin vazhdimisht, nuk tingëllon si zgjidhje e mirë.

Çdo ndërmarrje shtetërore është monopol dhe si e tillë i dëmton bizneset në të njëjtën industri. ORF është konkurrent i egër i kompanive mediale jo sepse i përgjigjet kërkesave të konsumatorit më mirë se to por sepse ka një fond pothuajse të pakufizuar. Kur kompanitë private duhet të garojnë për përfitim me produkte dhe shërbime, ORF e prek me bërryl shtetin i cili e përdor monopolin e vet mbi dhunën dhe i përvetëson ca para nga taksapaguesit. Kjo e bënë të vështirë garën e kompanive private dhe e dëmton konkurrencën në përgjithësi. Ekonomia parashkollore na mëson që kur konkurrenca ulet, kualiteti bie dhe çmimet rriten.

Problemi i veçimit

Problemi i pashmangshëm me çdo veprim shtetëror është dhuna. Në treg të lirë gjithçka ofrohet vullnetarisht dhe gjithçka mund të negociohet apo refuzohet vullnetarisht. Kur shteti vendos të ketë televizion publik, nuk i pyet individët veçanërisht se kush e kush e përkrahë idenë. Ai s’i pyet fare, thjesht vepron me dhunë. Si mund të arsyetohet televizioni publik kur ka individë si unë që besojnë bindshëm se paanshmëria dhe neutraliteti vjen nga konkurrenca e lirë e kompanive private dhe jo nga shteti? Fakti që taksapaguesit nuk mund të veçohen në grupin e atyre që e pranojnë idenë publike dhe në grupin e anarko-kapitalistëve si unë e bënë tërësisht të pamoralshëm televizionin publik. Në treg të lirë unë i vlerësoj produktet dhe shërbimet subjektivisht dhe vendosi për to me paratë e mia. Dikush tjetër i cili nuk pajtohet me vlerësimet e mia vendos ndryshe. Shteti nuk ta jep këtë mundësi; çfarëdo që ai bënë duhet të jetë e mirë për të gjithë sepse politikanët janë të gjithëdijshëm dhe të moralshëm.

Fuqia e tregut të lirë

Si mund t’i zgjidhë tregu problemet që u shfaqën; subjektivizmin dhe ndikimin e grupeve të interesit? Subjektivizmi zgjidhet shumë lehtë sepse vendimet merren individualisht. Secili është i lirë ta blejë atë gazetë që dëshiron ta lexoj apo ta shikoj atë program që sipas tij (subjektivisht) i përgjigjet nevojave. Ekskluziviteti është tërësisht i mundshëm dhe kjo e zgjidh problemin e subjektivizmit. Por çka në lidhje me grupet e interesit? Për shkak se prona e kompanive mediale është private, kujdesi për të është shumë më i madh se në atë shtetërore. Në vend të socializimit të kostove që bëhet me kompanitë publike, kostot e menaxhimit të keq në kompanitë private janë barrë e pronarëve. Nëse pronarët vendosin që të shfaqin lajme të montuara nga grupet e interesit, ata e bartin drejtpërdrejt rrezikun që nëse publiku e kupton kërkesa për shërbimet e tyre do të bie dhe ata do ta rrezikojnë falimentimin. Për shkak se në treg të lirë ka konkurrencë, është në interes të konkurrentëve që t’i demaskojnë praktikat e pamoralshme të njëri tjetrit. Si rezultat, kompanitë janë të gatshme të shfaqin dëshmi sa më bindëse për publikun. Gjithashtu mos harroni se në treg të lirë konsumatorët janë shumë më skeptik dhe besojnë më pak lajme se në rastin kur ka televizion publik. Si rezultat, kompanitë nxiten të ofrojnë informata më bindëse në mënyrë që t’i “shesin” lajmet me sukses. Do të zhvilloheshin metodat e raportimit, të video filmimit, të raporteve shkencore që e përkrahin lajmin, etj., në mënyrë që të jenë më të besueshme. Të gjitha këto janë kosto shtesë dhe kompanitë që nuk do të mund të përballeshin me to, do të thotë ato që nuk u përgjigjen kërkesave të konsumatorëve, do të duhej të largoheshin nga tregu. Kjo do ta filtronte dukshëm numrin e kompanive të këqija dhe do ta bënte tregun më profesional. Mos harroni që besimi vështirë fitohet në biznes; qëndrimi i profesorëve të menaxhimit të biznesit është që vetëm një në njëmbëdhjetë konsumatorë të humbur mund të kthehen prapë. Do të ishte rrezik kolosal për kompanitë private të shfaqnin lajme të montuara në treg të lirë sepse konsumatorët e humbur do të zhdukeshin pothuajse përgjithmonë. Besimi në treg, sidomos me shërbime të ndjeshme si mediat, kërkon shumë kohe për t’u ndërtuar dhe asgjë në botë nuk mund ta kompensoj humbjen e këtij besimi. Si rezultat, është e vështirë të besohet që dikush do të jetë i gatshëm ta paguaj koston e falimentimit të një kompanie vetëm sa për ta plasuar lajmin e tij të montuar. Fakti që shumë pak kompani do të ishin të gatshme të gënjenin, zakonisht ato të voglat që s’kanë shumë për të humbur, do ta rriste çmimin e gënjeshtrave. Por edhe ato gënjeshtra që shiten nuk do të kishin shumë ndikim sepse do të vinin nga kompanitë e vogla. Madje kjo do t’i nxiste të mëdhatë t’i demaskojnë, falimentojnë dhe të vazhdojnë dominimin e tyre.

Vetëm tregu amoral dhe i pamëshirshëm mund t’i përgjigjet kërkesave të konsumatorit më së miri. Dinamizmi i tregut dhe varshmëria që ai u imponon kompanive private ndaj konsumatorit i detyron ato të garojnë duke ofruar shërbime e rrallë herë duke mashtruar.

Friday 18 June 2010

Kush po e pengon zhvillimin ekonomik të Kosovës?

Hyrje

Nëse i pyet qytetarët e Kosovës se kush është pengesë e zhvillimit ekonomik, besoj se një numër bukur i madh i tyre do të përgjigjen “shteti”. Produkt i kolektivizmit që e karakterizon Ballkanin, qytetarët e Kosovës kanë një besim të madh por të verbër në rolin që shteti duhet të ketë në shoqëri. Ata besojnë që standardi i jetesës, i cili i mungon aq shumë atyre dhe i rendit të fundit në Evropë, mund të vijë vetëm nga një “shtet i fortë” dhe i “pa korruptuar”. Shpesh i dëgjon duke i atribuuar arritjet teknologjike apo ekonomike në vende të ndryshme botës tek shtetet e tyre. Natyrisht, brenda kësaj paradigme ata i shpjegojnë problemet ekonomike si pasojë e pasivitetit të shtetit.

Përgjigja për pyetjen time është e saktë, por arsyet janë të gabuara. Tragjikisht të gabuara. Qëllimi im këtu është të shpjegoj se si shteti i Kosovës vazhdon të jetë pengesë në zhvillimin ekonomik, por jo për shkak se është pasiv dhe duhet të intervenoj më shumë në ekonominë e Kosovës. Përkundrazi, për shkak se shteti i Kosovës ka marrë mbi vete role që nuk i takojnë fare, e në të cilat mund të shkaktojë vetëm dëme, duke lënë anash rolet që duhet t’i kryej e për të cilat pasiviteti është kritikë e drejtë.

Është vështirë të definohet shteti i Kosovës. Një protektorat ndërkombëtar i udhëhequr nga shërbyes civil të cilët kanë përvojë diplomatike dhe veprojnë nën urdhrat që zakonisht vijnë nga lartë në Kombet e Bashkuara, e i cili në mes tij dhe popullit të Kosovës ka një klasë politike pothuajse komplet të korruptuar, mund të thuhet se përbënë organin ekzekutiv, legjislativ dhe juridik të Kosovës. Tani që pluhuri i “pavarësisë” përfundimisht është zhdukur, mund të shihet qartë se kush nga këta është vendimmarrës në Kosovë. Udhëheqësit e protektoratit ndërkombëtar i marrin vendimet kryesore; kurse klasa politike i përfaqëson këto vendime dhe mund të vendos për gjëra të vogla. Ky dallim nuk është aq i rëndësishëm në analizën time ekonomike, megjithatë vlen të ceket.

Nuk janë të shumta sferat në të cilat intervenon shteti i Kosovës në ekonomi në krahasim me vendet tjera të Ballkanit. Megjithatë, të shikohet çështja nga kjo pikëpamje është gabim sepse intervenimi duhet të krahasohet si proporcion ndaj madhësisë dhe prodhimtarisë së ekonomisë, e jo si shkallë absolute ndaj ekonomive tjera. Shpesh i kam dëgjuar njerëzit duke e bërë të njëjtin gabim edhe kur flitet për taksat. “Taksat në Kosovë janë të ulëta, shiko vendet tjera në Ballkan!” Nuk është e vërtetë; duhet të shikohen taksat në proporcion me ekonominë e Kosovës, jo me atë të vendeve tjera.

Analiza ime e intervenimit do të koncentrohet në efektin e taksave, në tregtinë me vendet tjera, në subvencionet dhe shpenzimin publik, në menaxhimin e ndërmarrjeve publike, në efektet negative dhe kotësinë e rregullacioneve, licencave dhe akreditimeve, si dhe në pengesën e investimeve të huaja që është fusha më me rëndësi e diskutimit. Çdo intervenim i shtetit përpos problemeve ekonomike i ka edhe ato etike të cilat tani në shkencën ekonomike moderne duhet të merren parasysh gjithashtu. Unë megjithatë do to të koncentrohem vetëm në argumentet ekonomike.

Taksat dhe efekti i tyre

Kosova i ka disa taksa, por më e rëndësishmja është tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSh). Tani 16% në të gjitha të mirat dhe shërbimet (me përjashtim të disa të mirave bujqësore dhe mjeteve kapitale),[1] TVSh-ja është taksa më e preferuar e qeverive për shkak të efektivitetit të madh në realizimin e saj. Në të njëjtën kohë, TVSh-ja nuk është aq e “dukshme” si taksat tjera në të hyra të cilat i ulin direkt të ardhurat e përgjithshme. Si vepron TVSh-ja? Qëllimi i TVSh-së është të taksoj vlerën e shtuar të një produkti gjatë gjithë fazave të prodhimit duke përfunduar kështu tek konsumatori. Në realitet, efekti i TVSh-së nuk e prek vetëm konsumatorin por edhe prodhuesin dhe vepron kështu në faza të ndryshme.

Mendohet se efekti i parë i TVSh-së është rritja e çmimeve si rezultat i rritjes së kostove për bizneset. Bizneset duke u përballur me nevojën për ta paguar taksën, i rrisin çmimet duke ua kaluar taksën kështu konsumatorëve. Edhe pse është e vërtetë që në afat të gjatë TVSh-ja i rritë çmimet, ky shpjegim klasik rikardian është i gabuar sepse kostot e prodhimit nuk e përcaktojnë çmimin e një produkti; madje disi e kundërta vlen. Çmimi përcaktohet prej sasisë së produktit në treg dhe kërkesës për të. Bizneset mundohen t’i vënë çmimet e shitjes në nivelin më optimal; aty ku të hyrat janë në pikën më të lartë kundrejt kërkesës. Por, nëse kërkesa për produktet e tyre nuk ndryshon, atëherë çdo ngritje e çmimit pa marrë parasysh arsyen do të sjellë të hyra më të vogla. Konsumatori kur blen produkte është indiferent ndaj çështjes nëse paratë e tij i shkojnë biznesit apo shtetit. Si pasojë, bizneset e kanë të pamundur ta “kalojnë” taksën tek konsumatorët nëpërmes çmimeve sepse kërkesa për produktet e tyre do të bie dhe të hyrat do të largohen nga pika optimale. Po qe se një mundësi e tillë do të ekzistonte, bizneset do t’i kishin rritur çmimet edhe para taksës.[2] Në janar 2009, “qeveria” e Kosovës e rriti TVSh-në për 1%, megjithatë çmimet zbriten për 0.2% në shkurt. Gjërat do të ishin paksa ndryshe nëse e marrim parasysh kërkesën dhe ofertën për para në të cilën çmimet numërohen. Natyrisht, një rritje në sasinë e parave në qarkullim (inflacion) do t’i rriste çmimet por kjo do të ishte pasojë e një shkaku tjetër, jo e TVSh-së.

Çka ndodhë në të vërtetë është “kthimi” e jo “kalimi” i çmimeve; nga shitësit prapa tek prodhuesit. Taksa nuk i shtohet çmimit, por përkundrazi, i hiqet dhe fitimi neto i biznesit mbetet çmimi minus TVSh prej 16%. Natyrisht, efekti i menjëhershëm është ulja e të ardhurave për bizneset. Të hyrat e ulëta nënkuptojnë largimin e prodhuesve margjinalë nga tregu duke e zvogëluar kështu sasinë e produktit në treg. Të hyrat e vogla gjithashtu e dekurajojnë zhvillimin e bizneseve të reja. Si rezultat, ulet oferta për produkte dhe kjo e shpjegon rritjen e çmimeve në afat të gjatë.[3] Nevoja për t’i mbuluar kërkesat për llogaritje dhe regjistrim të hyrave paraqet kosto shtesë të punës. Bizneset zakonisht u shmangen atyre duke u bashkuar vertikalisht me biznese tjera dhe duke krijuar një sistem të përbashkët të përllogaritjeve. Efekti i kësaj është zvogëlimi i konkurrencës në treg.[4]

“Kthimi” i çmimeve ndodh gjatë gjithë fazave të prodhimit deri tek faktorët origjinal; pagat dhe rentat. Si rezultat, në afat të gjatë pagat dhe rentat zvogëlohen, që ndoshta është efekti më negativ i TVSh-së. Ulja e pagave nënkupton standard më të vogël të jetesës sepse më pak të mira dhe shërbime mund të blihen. Për fat të mirë, në Kosovë ndikimi i sindikatave është shumë i ulët. Po qe se sindikatat do të përkraheshin nga shteti për rritjen artificiale të pagave, papunësia do të rritej edhe më tej në mënyrë drastike. Ulja në paga bëhet edhe më intensive nga fakti që bizneset e ulin kërkesën për fuqi punëtore. Kjo ndodhë sepse ato kërkojnë të “mekanizohen” më shumë duke marrë zbritje në TVSh për makinerinë që e blejnë, kurse këtë nuk mund ta bëjnë për fuqinë punëtore. Rezultati përfundimtar është ngecja në zvogëlimin e papunësisë.[5]

Mirëpo, TVSh-ja nuk është e vetmja taksë e cila e dëmton ekonominë e Kosovës. Efekti i taksës në të hyrat e korporatës, për shembull, është ai i taksimit të dyfishtë; njëherë në fitimet e korporatës si entitet i veçantë ligjor dhe pastaj në pronarët e saj. Kjo taksë dekurajon krijimin e korporatave në favor të partneriteteve dhe pengon financimin e bizneseve nëpërmes pronësisë dhe shitblerjes së aksioneve duke i shtyrë ato nga financimi me borxhe.[6] Zakonisht janë korporatat ato të cilat janë “miq të ngushtë” me autoritetet e taksave. Me këtë nivel të korrupsionit në Kosovë nuk do të ishte çudi sikur në realitet numri i korporatave që paguajnë taksa të jetë shumë i vogël. Si rezultat, nevoja e mbulimit të taksave largohet prej të pasurve që kanë korporata në ata të varfrit që janë punëtorë të thjeshtë, e të cilëve mungesa e lidhjeve me pushtetin ua pamundëson mbrojtjen e të ardhurave.

Kjo na sjellë tek taksa në të hyrat personale, efekti afatgjatë i të cilës është i përafërt me njërin nga efektet e TVSh-së. Disa besojnë se punëtorët i shmangen kësaj takse kur punëdhënësi e paguan atë në vendin e tyre. Kjo nuk është e vërtetë sepse taksa që e paguan punëdhënësi gjithashtu nuk mund të “kalohet” tek konsumatorët dhe në fund duhet patjetër të rezultojë në zvogëlimin neto të pagave reale. Gjithashtu, duhet të mbahet mend që asnjëra prej taksave nuk ka efekt të “barabartë” në përvetësimin e të hyrave të individëve. Çdo taksë, si rregull, duhet patjetër t’i përvetësoj në formë heterogjene të hyrat e individit në krahasim më të hyrat e individit tjetër. Në këtë kuptim, argumenti ekonomik i taksimit proporcional nuk është i vlefshëm.

Si përfundim, të gjitha taksat i zvogëlojnë të ardhurat e individëve dhe i rrisin preferencat e tyre kohore. Kjo e bënë pothuajse të pamundshëm kursimin pa të cilin akumulimi i kapitalit dhe investimi është gjithashtu i pamundur. Problemi i përgjithshëm ekonomik në Kosovë është ai i mungesës së kapitalit, kështu që çdo masë që e dobëson zhvillimin e tij është masë që e dëmton qytetarin e Kosovës duke e ulur standardin e jetesës.

Merkantilizmi si politikë tregtare

Sa i përket tregtisë ndërkombëtare, pozita e shtetit të Kosovës është ajo e merkantilizmit. Merkantilizmi është njëra prej ideve më të vjetra ekonomike e cila ngërthen në vete mitin që në botë ekziston një volum i kufizuar i tregtisë, një lojë me shumë zero në të cilën ata që marrin fitojnë në dëm të atyre që japin. I shkatërruar një mijë herë prej ekonomistëve më të shquar, merkantilizmi është ngritur prapë nga hiri për ta luajtur rolin e tij të shëmtuar në pengimin e ndarjes ndërkombëtare të punës dhe specializimit ekonomik. Nëse ende jeni të hutuar, fjala është për atë thënien aq të përhapur por aq shumë të gabuar: “Eksportet janë të mira, kurse importet të këqija”. Politika merkantiliste nënkupton vendosjen e barrierave tregtare nëpërmes tarifave, kuotave, akcizave, etj., natyrisht duke e dekurajuar numrin e të mirave që hyjnë në Kosovë (importin) në favor të produkteve që dalin nga vendi (eksportin).

Që të shpjegohet më mirë efekti shkatërrimtar i proteksionizmit, një term më modern për merkantilizmin që sugjeron se shteti po i “mbron” (prej fjalës angleze ‘protect’) konsumatorët dhe prodhuesit e tij, duhet të shpjegohet mekanizmi i ndarjes së punës si koncept shoqëror dhe ekonomik. Në fazat më primitive të njerëzimit, individët kanë synuar t’i prodhojnë vetë të mirat dhe shërbimet që u janë nevojitur. Mirëpo gjatë zhvillimit shoqëror, ata e kanë kuptuar se kjo është pothuajse e pamundur dhe se u duhej një sistem tjetër ekonomik. Me evoluimin e veprimit njerëzor, u lind prirja e individit të prodhoj të mira për tjerët, që ato pastaj t’i shkëmbej me të mirat për të cilat ka nevojë. Në vend se individi të prodhoj vetë bukën, të nxjerrë kripen nga deti ose të çep rrobat–gjë që ishte e pamundur–këtë do ta bënin individët tjerë në shoqëri të cilët pastaj prodhimin e tyre do ta shkëmbenin për të mirat që u nevojiteshin. Duke u larguar nga autarkia primitive, individi i korri frytet e bashkëpunimit shoqëror i cili evoluoi në një sistem ekonomik ku puna e prodhimit u nda në degë të ndryshme të specializuara, produkti dhe shërbimi final i të cilave pastaj u shkëmbye në treg. Specializimi ka mundësuar atë që në shkencën e ekonomisë njihet si përparësia krahasuese, ku prodhuesit janë koncentruar në ato degë të prodhimit për të cilat kanë aftësi më të madhe në mënyrë që prodhimtaria të rritet. Prodhimi përfundimtar në fund është shkëmbyer. Për shembull, nëse personi A mund të prodhoj 5 litra verë kurse 3 bukë brenda një ore, dhe personi B të kundërtën–5 bukë dhe 3 litra verë brenda një ore–atëherë sipas përparësisë krahasuese do të ishte e logjikshme sikur personi A të koncentrohej vetëm në prodhimin e verës, kurse personi B vetëm në prodhimin e bukës. Kjo do të rezultonte në një prodhimtari më të madhe, ku numri i verërave dhe bukëve të prodhuara për një orë do të rritej së bashku.[7] Natyrisht, si pasojë e rritjes së sasisë do të ulej çmimi kurse fuqia blerëse do të rritej duke e ngritur kështu standardin e jetesës. Në fund, të dy produktet do të mund të shkëmbeheshin. Nga kjo e shohim se ndarja e punës është proces natyror të cilin njerëzimi e ka zhvilluar “instinktivisht” dhe se çdo pengim i këtij procesi duhet, si rregull, të prodhoj rezultate negative. Çdo tentim i shtetit për të penguar personin A ose B në prodhimin e asaj që e bën më së miri nënkupton ulje të prodhimtarisë, çmime më të larta dhe standard më të ulët të jetesës.

Tregtia ndërkombëtare nuk është asgjë tjetër përveç tregtisë së individëve përtej kufijve, prej vendit A në një vend tjetër B. Duke e ditur këtë, e kuptojmë që në studimin e tregtisë ndërkombëtare vlejnë po të njëjtat ligje ekonomike që e përcjellin shkëmbimin në mes individëve që jetojnë në një shtet. Natyrisht, e gjithë esenca e prodhimit është konsumi; ndryshe nevoja për të prodhuar nuk do të ekzistonte fare. E njëjta mund të thuhet edhe për tregtinë ndërkombëtare; esenca e eksporteve është të paguhen importet. Përfshirja e parasë nuk e ndryshon konceptin, thjesht e thekson rolin ndërmjetësues që paraja e luan në shkëmbimin e të mirave dhe shërbimeve. Nëse shteti intervenon në këtë ndarje natyrore të punës, i detyron prodhuesit efikas të tërhiqen nga tregu i Kosovës në favor të prodhuesve më pak efikas të cilët i fton në industri.

Le të marrim shembull një situatë ku nuk ekziston proteksionizmi dhe preferohet relativisht qumështi slloven ndaj atij vendor për shkak të çmimit dhe kualitetit. Kjo menjëherë na përkujton që prodhuesit sllovenë janë më të specializuar në prodhimin e qumështit se sa ata vendorë. Tani ndërhyn shteti dhe i vë sllovenëve një taksë apo një kuote mbi të cilën nuk mund të eksportojnë në Kosovë. Efekti i menjëhershëm është zvogëlimi i sasisë së qumështit slloven dhe rritja e çmimeve. Efekti tjetër është subvencionimi i prodhuesve vendorë dhe ftesa e tyre në industrinë e qumështit. Në afat të gjatë, struktura e prodhimit është dëmtuar për shkak se disa prodhues efikas janë larguar nga tregu e në vend të tyre kanë ardhur disa më pak efikas, produkti i të cilëve para intervenimit të shtetit nuk dëshirohej nga konsumatorët. Si rezultat, ky ndryshim strukturor e ka rritur shkallën e punësimit në industrinë e qumështit, por e ka zvogëluar atë në industritë tjera në të cilat këta punëtorë do të ishin më produktiv. Mbi të gjitha, e ka rritur çmimin e qumështit dhe e ka zvogëluar fuqinë blerëse të qytetarëve të Kosovës për produktet tjera. Në vend se qumështi të blihej 1 euro (shembull) sepse sllovenët si më të specializuar do ta prodhonin më shumë dhe më lirë, prodhuesit joefikas vendor nuk mund ta shesin atë për më pak se 1.60 (shembull). Si rezultat, prodhimtaria e ulët e tyre e ulët e largon atë 0.60 nga fuqia blerëse e konsumatorëve. Për shkak se tani konsumatorët mund të blejnë më pak, zvogëlohet kërkesa për industritë tjera ku ulen shitjet dhe bije punësimi në to. Krejt kjo është pasojë e shtrembërimit të strukturës së prodhimit duke i zëvendësuar prodhuesit efikas me ata joefikas. Proteksionizmi drejtpërdrejt shkakton rezervimin joefikas të kapitalit në ato linja të prodhimit që rezultojnë në prodhimtari më të ulët dhe si pasojë paga reale më të vogla. Proteksionistët thonë që zvogëlimi në fuqinë blerëse anulohet prej përfitimit në shkallën e rritur të punësimit. Ky shpjegim është i gabuar sepse struktura e re e prodhimit, edhe pse ka punësuar më shumë punëtorë se përpara, nuk është aspak efikase në relacion me efikasitetin natyral të saj. Punëtorët që janë punësuar janë ftuar prej sinjaleve të shtrembëruara, në këtë rast pagave artificiale, patjetër do të kenë prodhimtari më të ulët se sa që do të kishin në një industri ku pagat e reflektojnë drejtë produktin margjinal të punës.

Në një treg të hapur, sllovenët do të vazhdonin shitjen e qumështit kurse vendorët do të merreshin me ato aktivitete në të cilat përparësia krahasuese e tyre është më e madhe. Konsumatorët do ta kishin atë 0.60 shtesë të cilin do ta përdornin për blerjen e produkteve në industritë tjera duke ia rritur të ardhurat si dhe kërkesën për fuqi punëtore. Në Kosovë do të zhvillohej një strukturë më efikase e prodhimit sepse vendorët do të merreshin me aktivitete që i bëjnë më së miri duke e mundësuar në të njëjtën kohë zhvillimin e industrive tjera. Do të ishte një skenar plotësisht i kundërt me atë të proteksionizmit ku kapitali rezervohet në mënyrë më efikase dhe ndarja e punës e ndjek rrugën e saj natyrale.

Kosova është pjesë e disa marrëveshjeve tregtare (p.sh. CEFTA) për heqjen e proteksionizmit në disa raste. Megjithatë, kritika mund të zgjerohet edhe në këtë fushë të marrëveshjeve “të tregtisë së lirë”. Marrëveshjet e tregtisë së lirë nuk i pengojnë efektet negative të proteksionizmit, ato thjesht i reduktojnë dhe i kushtëzojnë sipas parakushteve të kontratës. Të thuash që po nënshkruan marrëveshje të tregtisë së lirë është si të thuash që po e hap rrugën me bllokada; është kundërthënëse. S’ka marrëveshje më të mirë se zhdukja e çfarëdo kontrolli mbi importet dhe shfuqizimi i plotë i proteksionizmit

Kundër-argumentet e proteksionistëve janë plotësisht të pabaza. Ata mundohen ta arsyetojnë proteksionizmin kryesisht në dy pika: 1) zvogëlimi i deficitit tregtar (eksportet minus importet) është i nevojshëm që vendi të mos përfundoj vetëm si “blerës” por edhe si prodhues, dhe 2) të krijohet një tregti e drejtë në kuptimin “fer” ku prodhuesit vendorë të kenë mundësinë të përballen me konkurrencën e prodhuesve të huaj. Këto janë argumente të pa vlefshme.

Së pari, koncepti i bilancit të pagesave, edhe pse mbahet në epiqendër të argumenteve proteksioniste, është koncept pothuajse krejt i pa rëndësishëm. Ideja prapa këtij koncepti është që ekonomia e vendit mund të përfundoj në greminë nëse vazhdon të blejë produkte (importoj) pa u shitur (eksportuar) tjerëve. Sipas idesë, kjo do të ndodhte sepse bizneset e Kosovës nuk do të kishin çka të prodhonin dhe si rezultat papunësia do të rritej duke quar në një gjendje depresive. Por edhe nëse eksportet bien deri në zero, si është e mundur që Kosova t’i paguaj importet? Është e pamundur të blesh nëse nuk ke para, dhe është e pamundur të kesh para nëse nuk prodhon (përveç nëse dikush t’i dhuron ato). Përderisa qytetarët e Kosovës mund të paguajnë importe, çështja e eksportimit nuk është fare e rëndësishme.[8] Askush nuk brengoset se si qytetarët brenda Kosovës i barazojnë bilancet e pagesave në mes vete. Bilanci kombëtar i Kosovës nuk është asgjë tjetër pos shuma e bilanceve të pagesave në mes blerësve në Kosovë dhe atyre jashtë vendit.

Bilanci i pagesave paraqet problem vetëm në një sistem monetar të arit ku bankat mbajnë vetëm rezerva frakcionale. Nëse në një situatë të tillë banka qendrore shtyp para dhe e rritë sasinë e parave në qarkullim duke shkaktuar kështu rritje të çmimeve, eksportet do të dekurajohen për shkak se bëhen më të shtrenjta kurse importet do të rriten sepse bëhen më të lira. Kjo do ta shkaktoj rritjen e deficitit dhe duke qenë se në sistem të arit është pikërisht ari ai që shërben si monedhë ndërkombëtare, pagesa e deficitit duhet të bëhet në ari. Kjo natyrisht do ta ulte sasinë e arit në bankat me rezerva frakcionale duke i vënë ato në presion dhe në rrezik të falimentimit. Në këtë situatë ato do të detyroheshin ta kontraktojnë sasinë e parave që e kanë shtypur në masë duke shkaktuar recesion dhe duke e restauruar bilancin e pagesave me kthimin e arit në vend. Ky skenar, megjithatë, është i pamundur në Kosovë sepse Kosova fatmirësisht nuk ka bankë qendrore dhe fatkeqësisht nuk vepron në sistem të arit por në atë të parasë letër.[9]

Koncepti i bilancit të pagesave është thjeshtë pseudo-problem i krijuar prej tendencës për të mbajtur statistika në mes shteteve. Në realitet, nuk ekziston fare ashtu siç nuk ekziston frika për bilancin e pagesave në mes qytetarëve të Prishtinës dhe atyre të Pejës. Dallimi i madh në bilancin e pagesave në Kosovë gjithashtu duhet t’i atribuohet dërgesave të diasporës të cilat janë shumë të mëdha. Në esencë, është diaspora ajo e cila prodhon për familjet në Kosovë, produktet e të cilëve u shkojnë shitësve të huaj kur familjet e tyre i shpenzojnë paratë e dërguara. Gjithashtu, nuk është e thënë që importet në Kosovë kushtimisht të paguhen me të mira; ato mund të paguhen me shërbime ose paratë mund të kthehen nëpërmes investimeve që bizneset e huaja i bëjnë në Kosovë në mjete kapitale ose tokë. Në afat të gjatë, bilanci i pagesave është gjithmonë i barabartë.

Sa i përket argumentit të dytë: çka e përcakton normën e asaj çka është apo nuk është “fer”? Mos vallë klasa politike e Kosovës? Çdo shkëmbin vullnetar që ndodh në treg ndodh vetëm si pasojë e dëshirës subjektive të dy palëve. Jashtë tregut, asnjë çmim nuk mund të konsiderohet “fer” dhe tentimet e burokratëve për ta përcaktuar atë janë komplet arbitrare dhe kështu të gabuara. Gjithashtu, nëse izolimi është metodë e mirë për garantuar konkurrencë “fer”, atëherë pse duhet të ndalemi tek niveli kombëtar? Pse nuk krijohen dogana edhe në mes qyteteve, lagjeve apo edhe shtëpive nëse një gjë e tillë sjellë të mira? Rezultati përfundimtar i izolimit, që është thelbi i proteksionizmit, është ajo fazë primitive e prodhimit për të cilën fola në fillim. Ajo çka nevojitet për konfigurimin e drejtë të ekonomisë nuk është futja me forcë e kapitalit, fuqisë punëtore dhe të mirave natyrale në një sektor të caktuar nëpërmes dekreteve politike, por kalimi i tyre natyral nëpërmes vendimeve biznesore që e kanë mekanizmin e përfitimit parasysh.

Ne diskutimet e mia me disa ekonomistë shqiptarë e kam dëgjuar edhe një argument tjetër në favor të proteksionizmit i cili vijon kështu disi: “Shteti duhet të jetë proteksionist për shkak se shtetet tjera si Kroacia e Sllovenia po i subvencionojnë produktet që hyjnë në Kosovë duke i bërë të lira e duke e bërë të pamundur konkurrencën e vendorëve me ta”. Ekzistojnë disa probleme me këtë pikëpamje. Së pari, ky ofrim i çmimeve më të lira se normalisht është subvencionim jo i firmave kroate apo sllovene, por i konsumatorëve të Kosovës. Kjo nuk është asgjë tjetër përpos transferim i parave prej kroatëve dhe sllovenëve nga të cilët shtetet e tyre i marrin taksat e tek qytetarët e Kosovës. Janë konsumatorët e Kosovës ata të cilët do të përfitojnë nga çmimet e ulëta dhe do të ishte absurde që shteti i Kosovës të intervenoj për t’i rritur ato. E çka në lidhje me prodhuesit vendor? Prodhuesit vendor i kanë dy mundësi; ata mund të largohen duke shkaktuar rritjen e çmimeve në atë industri dhe duke i zbritur ato në një industri të pa subvencionuar, ose ata mund t’i ulin shitjet dhe të presin derisa shteti kroat dhe ai slloven ta kuptojnë që dhënia e parave falas nuk është ide e mirë. Por çka nëse prodhuesit vendor përfundimisht falimentojnë si rezultat i kësaj “konkurrence të egër”? Në atë rast vendorët prapë do të ishin fitues për shkak se kapitali bashkë me mjetet tjera të bizneseve të falimentuara, i cili ende do të ekzistonte, do të shitej dhe firmat e reja do të mund të garonin prapë me të huajt për shkak të kostove shumë të ulëta kapitale. Duke i shpërdoruar burimet e rralla natyrore, kroatet dhe sidomos sllovenët me shtetin e tyre tipik social-demokrat munden vetëm t’i shërbejnë qytetarëve të Kosovës në dëm të tyre personal. Por edhe nëse themi hir të argumentit që shteti i Kosovës duhet të ndërhyjë; si do ta dijë çfarë tarifa dhe çfarë kuota të vendosen ashtu që subvencionet kroate dhe sllovene të anulohen? Kostot janë subjektive[10] dhe mungesa e çmimeve të pa subvencionuara do t’i linte burokratët e Kosovës të hutuar. Rezultati i krejt kësaj do të ishte vendosja e një mase komplet arbitrare dëmet e të cilës do të ishin shumë më të mëdha se “përfitimet” nga largimi i “djajve që po na ofrojnë çmime shumë të lira”.

Edhe në një kohë ku shteti dhe ndikimi i tij nëpër vende të ndryshme të botës fatkeqësisht është rritur, ideja e tregjeve ndërkombëtare të lira është ende njëra prej teorive më të forta ekonomike. Edhe udhëheqësit më fanatikë të autarkisë dhe socialistët e padijshëm si Hugo Chavez e kanë pranuar këtë kur në praktikë i kanë hapur kufijtë duke e lënë të lirë ose pak të penguar kalimin e mallrave. Çdo shkëmbim i pa dhunshëm është, së paku ex ante, i leverdishëm për të dy palët. Çdo ndalim ose kufizim i shkëmbimeve vullnetare prodhon rezultate negative për të dy palët; edhe për Kosovën edhe për fqinjët e saj. Meqë Kosova nuk mund të marr vendime për Maqedoninë ose Malin e Zi, e pakta që mund ta bëjë është t’i hapë kufijtë e saj ndaj ofertave tregtare të prodhuesve të huaj. Të panumërta janë rastet nëpër botë ku tregtia e lirë ka quar në zvogëlimin e varfërisë dhe rritjen e standardit të jetesës.

Subvencionet dhe shpenzimi publik në infrastrukturë

Disa herë i kam dëgjuar njerëzit në Kosovë duke sugjeruar se subvencionet janë të nevojshme për zhvillimin e ekonomisë, e sidomos të atyre sektorëve që janë “mbrapa” si për shembull bujqësisë. Se sa është i ngulitur në kokën e qytetarëve të Kosovës ky koncept dëshmohet edhe prej atij programit televiziv në Radio Televizionin e Kosovës ku diskutohet ekonomia e që quhet pikërisht “Subvencion”. Megjithatë, edhe pse e përhapur si ide, shteti i Kosovës fatmirësisht nuk e ka aplikuar shumë dhe shifra e fondeve të subvencionuara për periudhën 2004-2008 arrin 387.7 milion euro[11] apo rreth 7.33% e GDP-së sot.[12] Megjithatë, idetë kanë pasoja prandaj duhet t’i qasemi diskutimit edhe këtu.

Që të diskutohen subvencionet dhe efektet e tyre duhet të diskutohen disa koncepte ekonomike paralelisht. Fjala është për shpërndarjen e pasurisë, konceptin e përfitimit, si dhe atë të njohurisë dhe planifikimit qendror. Në thelb, ideja e subvencioneve thotë që tregjet nuk janë gjithmonë efikase dhe se ato nganjëherë e shpërndajnë pasurinë në një mënyrë të pa drejtë. Si rezultat, në ekonomi mbesin sektorë të pazhvilluar që duhet të zhvillohen në mënyrë që të shmangen padrejtësitë ndaj prodhuesve të atij sektori si dhe të rritet prodhueshmëria e përgjithshme. Por ky nuk është mesazhi i vetëm i idesë së subvencioneve. Ajo gjithashtu nënkupton që është shteti ai i cili e ka njohurinë dhe mjetet e duhura për t’i identifikuar ata sektorë që kanë nevojë edhe në kuptimin kualitativ edhe në atë kuantitativ. Le t’i qasemi të dy pikave kryesore veçanërisht.

A është e vërtetë që tregjet nuk janë gjithmonë efikase? A ekzistojnë në tregje ku mungon intervenimi i shtetit sektorë të cilët duhet të jenë të zhvilluar por nuk janë? Çfarë pike referente duhet ta përdorim për të bërë dallimin në mes sektorit të zhvilluar dhe atij të pa zhvilluar? Këto janë disa nga pyetjet që duhet t’i shtrojmë vetës, përgjigja e të cilave vjen nga diskutimi i koncepteve që i përmenda më lartë.

Tregu është një proces. Një proces i veprimit njerëzor ku individët në kapacitetin e tyre si konsumator kërkojnë të mira dhe shërbime për t’i përmbushur nevojat dhe kënaqësitë e tyre, kurse në kapacitetin e tyre si prodhues angazhohen në prodhimin e të mirave dhe shërbimeve që u duhen tjerëve. Në treg janë konsumatorët ata të cilët u përgjigjen pyetjeve klasike ekonomike se çka do të prodhohet, sa do të prodhohet dhe për kënd do të prodhohet.[13] Janë konsumatorët ata të cilët me sovranitetin e tyre, me të drejtën e blerjes apo abstenimit prej blerjes së produkteve dhe shërbimeve, e përdorin paranë si votë e cila i komandon bizneset dhe planet e tyre të prodhimit. Nga kjo e shohim se nëse bizneset dëshirojnë të përfitojnë, duhen patjetër t’i shërbejnë konsumatorëve. Ndryshe nga shteti, bizneset nuk mund të futen në shtëpitë e konsumatorëve dhe t’i marrin me dhunë të ardhurat e tyre legjitime. Ato janë të detyruara të ofrojnë shërbime dhe produkte të cilat konsumatorët subjektivisht i vlerësojnë si të nevojshme me një çmim të arsyeshëm. Gabimi në secilën nga këta dy parametra do t’ju kushtoj bizneseve me humbje. Detyra e tyre është jo vetëm t’i përmbushin kërkesat e konsumatorit, por edhe t’i paraprijnë atyre kërkesave duke u plasuar në treg para konkurrentëve të tjerë. Realizimi i përfitimit në ekonomi nënkupton shërbimin e konsumatorit, ose mundësia e përfitimit në një sektor nënkupton nevojën e konsumatorëve për tu shërbyer. Nëpërmes mekanizmit të përfitimit, tregu si entitet fiktiv përkujdeset që konsumatorët të marrin produktin dhe shërbimin që kërkojnë. Në ata sektorë ku konsumatorët nuk janë të shërbyer, mundësia për përfitim është e madhe. Kur bizneset futen aty dhe i ofrojnë produktet apo shërbimet e tyre, çmimet bien dhe si rezultat përfitimet ulen duke e hapur rrugën për sektorët tjerë. Nga kjo e kuptojmë që çka e dallon produktin ose shërbimin si të nevojshëm është kërkesa për të, dhe çka e manifeston këtë kërkesë në praktikë është mundësia e përfitimit. Nëse bizneset angazhohen në ato linja të prodhimit që askujt nuk i duhen ato do të përfundojnë me kapital të konsumuar dhe përfitim zero. Nëse sektori i bujqësisë, ai i veturave, ose ai XYZ është duke bërë humbje në krahasim me sektorët tjerë, kjo do të thotë që ky sektor po angazhohet në përdorimin e mjeteve kapitale, fuqisë punëtore dhe të mirave natyrale në një mënyrë të tillë të cilën konsumatorët nuk e dëshirojnë. Nuk ka mënyrë tjetër legjitime, përpos çmimeve dhe përfitimeve si sinjale, për të dalluar vlefshmërinë e një sektori. Çdo ikje nga rezultatet e procesit të tregut i cili ndër tjera e reflekton kërkesën e konsumatorëve është ikje nga realiteti. E vetmja mënyrë për kundërshtarët e tregut t’i plasojnë argumentet e tyre me sukses është ta demantojnë lidhjen në mes përfitimit dhe shërbimit të konsumatorit. Është detyrë e atyre që e përkrahin idenë e subvencioneve të dëshmojnë që tek ato produkte dhe shërbime shtesë që nuk ka përfitim ka kërkesë. Ata duhet të na bindin që së pari ekziston një formë tjetër e vlerësimit të industrive përveç përfitimit në to, dhe pastaj të na shpjegojnë se si e nxjerrin vlerën objektive, kardinale nga ajo formë.

Në këtë pikë besoj se dy kundër-përgjigje do të paraqiteshin nga “pro-subvencionistët”. Së pari argumenti që ka rast ku ekziston kërkesa por jo përfitimi për shkak se numri i konsumatorëve është “shumë i vogël”. Si rezultat, bizneset nuk janë të interesuara të futen aty për shkak se investimi do të ishte më i madh se përfitimi eventual. Së dyti, argumenti që përfitimi i industrive nuk na duhet për ta identifikuar kërkesën për disa produkte të caktuara. Për shembull, shpesh flitet që është e qartë që bujqësia ka “nevojë” për tu zhvilluar më shumë se sektorët tjerë në Kosovë.

Le të merremi me argumentin e parë në fillim. Është e vërtetë që ka sektorë ku ka kërkesë margjinale për të cilën nuk ka përfitim, por kjo nuk do të që lidhja në mes kërkesës dhe përfitimit është demantuar. Kjo gjendje ekziston vetëm për shkak se bizneset nuk i kanë të zhvilluara mjaft mjetet kapitale për ta ofruar produktin ose shërbimin. Ky nuk është problem ekonomik aq sa është teknologjik. Shkak i këtij problemi është pandashmëria e njësive të disa faktorëve të prodhimit si dhe produktit final. Si rezultat i kësaj pandashmërie, prodhimi i suksesshëm i një produkti varet nga kombinimi i caktuar i këtyre faktorëve të prodhimit. Nëse kombinimi i 3 njësive të faktorit A dhe 2 njësive të faktorit B është i nevojshëm për prodhimin e një frigoriferi, është e kuptueshme që dyfishimi i njësive të këtyre faktorëve (6A + 4B) do t’i prodhoj dy frigoriferë. Megjithatë, kjo s’do të thotë që kombinimi i 4 njësive të faktorit A dhe 3 njësive të faktorit B do të prodhojë 1/3 frigorifer.[14] Faktorët në disa raste thjeshtë nuk mund të ndahen dhe në të njëjtën kohë të jenë të suksesshëm në prodhimin e produktit final. Kjo pandashmëri teknologjike krijon hapësira në prodhim, hapësira në të cilat rritja e faktorëve të prodhimit nuk rezulton patjetër në rritjen e sasisë së produkteve. Biznesmenët mundohen t’ju shmangen këtyre hapësirave sepse investimi në to do të ishte i kotë, pikërisht për shkak se nuk do të gjeneronte produkte shtesë. Si rezultat i shtimit të faktorëve të prodhimit por ngecjes së sasisë së produkteve të prodhuara, kostot mesatare do të rriteshin.[15] Si rezultat i kostove më të larta dhe të hyrave konstante, futja e faktorëve të prodhimit në disa linja të caktuara do t’i ulte përfitimet dhe kjo e shpjegon problemin. E vetmja mënyrë që produkti të ofrohet me sukses është nëpërmjet zhvillimit të mjeteve kapitale mu në atë pikë në të cilën prodhimi i produktit është i plotë. Ajo pikë është natyrisht jashtë hapësirave të lartpërmendura dhe gjendet në momentin kur hapësirat shuhen. Rritja e prodhimtarisë do t’i ulte kostot mesatare duke e krijuar mundësinë për përfitim. A ju kujtohet pas luftës në Kosovë se si vetëm në vendet më urbane kishte internet? Zhvillimi i internetit në pjesët rurale të Kosovës është pasojë e zhvillimit të mjeteve kapitale, të teknologjisë së nevojshme për funksionimin e rrjetit.

Por a do të thotë që “pro-subvencionistët” kanë prapë të drejtë kur pajtohen me mua në diagnozë, por në vend se të presin zhvillimin e nevojshëm të mjeteve kapitale, sugjerojnë subvencionimin e atyre sektorëve? Aspak. Duhet ta mbajmë mend që shteti nuk posedon mjete të veta; të gjitha të hyrat e shtetit vijnë nga inflacioni (shtypja e parave), taksat ose borxhet. Kjo do të thotë që aftësia e shtetit për të shpenzuar, në këtë rast për t’i subvencionuar ata sektorë në të cilët të mirat kapitale s’janë të zhvilluara sa duhet, varet nga përvetësimi i mjeteve nga sektorët tjerë të zhvilluar. Kjo na sjellë tek një situatë ku kemi të bëjmë me dënimin apo dëmtimin e sektorëve efikas, nga të cilët përvetësohen taksat, dhe shpërblimin e sektorëve joefikas, në të cilët derdhen ato taksa. Kur e studiojmë ekonominë si shkencë dhe i gjurmojmë pasojat e shkaqeve, këtë e bëjmë duke e pasur parasysh gjendjen e të gjithë individëve e jo vetëm të një grupi të caktuar. Nëse tregohemi mendjengushtë dhe e vlerësojmë efektin pozitiv vetëm te një grup, atëherë mund ta arsyetojmë edhe hajninë në formën më absurde. Kështu që kur merret parasysh shpërndarja e pasurisë, patjetër duhet të shikohet efekti i përgjithshëm (neto) në ekonomi. Kjo na shpije tek një përfundim i shkurtër por i qartë; sa herë që struktura e prodhimit ndryshohet me shpërndarje të pasurisë, siç është dëshmuar më lartë edhe tek rasti i merkantilizmit, prodhimtaria e ekonomisë duhet patjetër të zvogëlohet. Të ofrosh një shërbim të tillë për të cilat mjetet kapitale nuk janë të avancuara sa duhet është sikur ta përdorësh veturën për t’i bërë ato udhëtime që duhen të bëhen me aeroplan. Detyra e ekonomisë nuk është të na tregoj se a mund të marrim vendime, por se a janë efikase ato vendime në proporcion me numrin e kufizuar të mjeteve të cilat mund të përdoren në mënyra alternative. Në praktikë, ekziston mundësia që burimet të shpenzohen në çfarëdo mënyre, megjithatë shqetësimi është se a po përdoren ato burime për t’i shërbyer nevojave më urgjente. Pa një sistem të çmimeve si sinjale, është e pamundur për bizneset apo shtetin t’i përgjigjen nevojave më urgjente. Si rezultat, injorimi i këtyre sinjaleve që na jep tregu duke i subvencionuar sektorët vend e pa vend e ulë prodhimtarinë e përgjithshme dhe i le nevojat më urgjente anash.

Por çka nëse e marrim parasysh vetëm shërbimin që u ofrohet atyre pak konsumatorëve të lënë anash, edhe pse për ta bërë atë duhet të shkaktohet një dëm i madh? Është e vërtetë që këta konsumatorë mund të përfitojnë me subvencione, por vetëm në afat të shkurtë. Shembull konkret është krijimi i postës shtetërore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1775, Benjamin Franklin e krijoi postën me pretekst se të gjithë amerikanët, pavarësisht prej mundësisë së tyre ose regjionit ku jetonin, duhet të kishin të drejtë në shërbimet postare. Bizneset private në aso kohe nuk e ofronin shërbimin në regjione të “vështira” (malore, rrugë të këqija, fshatra shumë të vegjël periferik, etj.) për shkak se kostot ishin të mëdha. Kur shërbimi shtetëror filloi të funksiononte atje, konsumatorët përfituan edhe pse në dëm të efikasitetit ekonomik. Kjo megjithatë, nuk zgjati shumë. Me kalimin e kohës, më saktë në shekullin 19-të kur kapitalizmi lulëzoi në Sh.B.A., mjetet kapitale të nevojshme për ofrimin e shërbimit u avancuan dukshëm. Kushtet e vështira që e pengonin këtë shërbim gjithashtu u përmirësuan si rezultat i zhvillimit infrastrukturor, e veçanërisht shumë rrugëve private që u ndërtuan në atë kohë. Tani mundësia ishte krijuar që bizneset private të hynin në treg dhe t’i ofronin shërbimet e tyre. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi. Me postën shtetërore ende gjallë, e cila veç kishte krijuar një vazhdimësi të deficiteve, bizneset private u dekurajuan të garojnë me një entitet monopolist. Edhe në ato regjione ku bizneset megjithatë vendosën të marrin pjesë, shërbimi i tyre u dëmtua nga konkurrenca e egër e postës monopoliste shtetërore. Si rezultat, konsumatorët që ishin gëzuar aq shumë me ofrimin shtetëror të shërbimeve postare, tani duhet të përballeshin me kulturën e varësisë, atë të kualitetit të dobët dhe çmimeve të larta. Sot, 235 vite pas krijimit të postës, ajo ende ka deficite në vlerë të 3.79 miliard dollarëve.[16] Qytetarët e shteteve amerikane, edhe ata në regjionet më të vështira, i falënderohen produktit të tregut, biznesit privat, për shërbimet postare që u ofrohen atyre duke ua dhënë mundësinë t’i shmangen atij shtetëror.

Tani le t’i qasemi argumentit të dytë për “dukshmërinë e nevojës” së zhvillimit të bujqësisë. Kërkesa për prodhimet bujqësore është qartazi e dukshme, por duhet të mbahet mend që produktet dhe shërbimet nuk janë homogjene por heterogjene. Mielli që vjen nga Serbia nuk është aspak i njëjtë me miellin që prodhohet në Kosovë apo diku tjetër. Vetëm pse produktet hedhen në një kategori të përbashkët nuk do të thotë që janë të njëjta, dhe kjo madje vlen edhe për produkte të prodhuara nga e njëjta firmë e nga e njëjta linjë e prodhimit. Ashtu si për produktet finale, edhe faktorët e prodhimit janë heterogjenë. Makineria e nevojshme për përpunimin e grurit në Serbi dhe ajo në Kosovë nuk janë aspak të njëjta. Si rezultat, nuk mund të ekzistoj kërkesa për miellin si produkt në përgjithësi ose si klasë e ushqimit, por vetëm si një produkt heterogjen, specifik që i përgjigjet kërkesave subjektive të konsumatorit. Vetëm pse ka kërkesë në Kosovë për produktet bujqësore në përgjithësi, nuk do të thotë që ka kërkesë për çfarëdo produkte bujqësore që prodhohen në Kosovë. Zgjidhja nuk është të përdoret dhuna për t’i bërë produktet vendore të leverdishme, por të zhvillohen mjetet kapitale me të cilat rritet kualiteti i tyre dhe të ulet çmimi. Këtë nuk mund ta bëjë shteti, gjë që do të diskutohet më shumë në fund. Ata që dëshirojnë të argumentojnë se bujqësia në Kosovë është “prapa” sektorëve tjerë duhet të dëshmojnë që kriteri i tyre i identifikimit, i cili qartazi nuk është ai i tregut, është i drejtë.

Disa thonë që padrejtësitë në treg janë shkaktuar prej subvencioneve të kaluara kur shteti ka intervenuar në një sektor duke i lënë tjerët anash, në të cilët tani duhet të shpenzohet. Natyrisht përgjigja ndaj këtij mendimi është që shteti duhet ta ndërpresë intervenimin në ekonomi, sepse dy të këqija nuk e krijojnë një të mirë. Është bindja ime që ata që flasim për “nevojën” e këtij apo atij sektori për tu zhvilluar flasin nga përgjithësimi ose thjeshtëzimi i natyrës komplekse të prodhimit. Ata udhëhiqen nga idetë tradicionale që “buka dhe kripa” janë thelbësore për jetën dhe prandaj ngutën të bëjnë vlerësime të tilla si “bujqësia është mbrapa”. Natyrisht që bujqësia është mbrapa, por ashtu janë edhe një mijë sektorë tjerë, ashtu është ekonomia e Kosovës. Tradicionalizmi nuk është argument i drejtë për ta arsyetuar shpërndarjen e pasurisë prej sektorëve efikas në ata joefikas. Problemet në bujqësi janë të njëjta me ata në sektorët tjerë, madje të njëjta me të gjithë rastet ku ka varfëri: mungesë e mjeteve të prodhimit.

Sektorët e pazhvilluar janë shenjë e dobësisë dhe kotësisë së tyre. T’i subvencionosh ata është sikur të marrësh me dhunë ushqim nga një organizëm i ri për t’i dhënë njërit që po vdes. Industritë që po zhduken nuk duhet të mbahen në mbështetje, ato duhet të lihen të vdesin në mënyrë që sektorët e rinj të mund të zhvillohen. Nëse ato mbahen dhunshëm, atëherë mjetet e nevojshme për zhvillimin e të rinjve, për të cilët konsumatorët kanë votuar me paratë e tyre, mungojnë dhe e vështirësojnë procesin. Kur makinat e shtypit filluan të dalin nga moda, shteti shumë lehtë ka mundur të paraqitet me argumente të dobëta dhe t’i subvencionoj për hir të prodhuesve të mjerë që po pësonin humbje. Tani besoj se të gjithë pajtohen që ato makina nuk janë asgjë pos relikte të së kaluarës, shërbimi i të cilave është përmirësuar pa krahasim me mjetet e reja si kompjuteri. Vetëm tregu mund t’i koordinoj zhvillimet kohore në mes faktorëve të prodhimit, kërkesës dhe produkteve finale. Intervenimi i shtetit me subvencione është i ngjashëm me tentimin e Bashkimit Sovjetik për ta planifikuar ekonominë. Të gjithë e dinë se çfarë rezultate solli ky eksperiment.

Nga diskutimi i subvencioneve mund ta zgjerojmë kritikën edhe në fushën e shpenzimit publik në përgjithësi. Fjala është për shpenzimet në infrastrukturë, si për shembull ndërtimi i rrugëve dhe autostradave rishtazi. Kjo besoj se është fusha ku lexuesit do të pajtohen më së paku me mua për shkak se e kanë bindshëm të ngulitur në kokë idenë që rrugët dhe autostradat në Kosovë dhe Shqipëri patjetër duhet të ndërtoheshin nga shteti. Argumenti im këtu, megjithatë, nuk është që këto shpenzime nuk duhet të bëheshin, por që vendimi për to duhej të merrej nga një pikëpamje biznesore e jo politike. Siç është thënë në fillim të diskutimit të subvencioneve, në treg të lirë vlefshmëria e shërbimeve dhe produkteve përcaktohet prej përfitimit. Përfitimi nga to, në anën tjetër, përcaktohet prej kërkesës për to. Ashtu si telefoni mobil që e kryen një shërbim, të njëjtin e bënë edhe rruga kur shërben si platformë në të cilën automjetet mund të kalojnë. Ashtu si mund të vlerësohet shërbimi i telefonave mobil nga konsumatori, ashtu mund të vlerësohet edhe nevoja e pastaj cilësia e rrugëve. Për ta ndjekur përfitimin, biznesmeni është gjithmonë i detyruar të ofroj shërbime në ato sfera të jetës ku njerëzit kanë nevojë. Nëse në Kosovë apo Shqipëri ka ekzistuar nevoja për rrugë të reja, kjo ka mundur të ofrohej prej bizneseve private në mënyrë shumë më efikase në krahasim me shtetin i cili i ndërtoj ato me aq shumë pengesë për përdoruesit e rrugëve, me vonesë e duke e shtyrë afatin gjithmonë, me një çmim shumë të lartë të cilin ndërtuesi privat nuk do ta paguante, e me një kualitet të dobët i cili qëllimisht është aplikuar në mënyrë që nevoja për rindërtim të rrugëve të mbetet e politikanët e korruptuar të përfitojnë ende ka tenderët e ardhshëm. E gjithë kjo, natyrisht, është financuar nga taksapaguesit në Kosovë, paratë e të cilëve janë marrë me dhunë, janë shpërdoruar dhe në fund atyre u është dhënë një rrugë më e dobët se që do të mund të ndërtohej nga bizneset private. Nuk dua të futem në detaje se si do të funksiononte një sistem i rrugëve private, gjë që është e vështirë për tu imagjinuar për lexuesit kur shteti i ka pasur ato nën kontroll për shumë kohë. Megjithatë duhet të bëhet një dallim i qartë në mes menaxhimit shtetëror, i cili në thelb është konsum i klasës politike që e udhëheq atë, me menaxhimin privat, i cili në thelb është investim për t’i shërbyer masave.

Menaxhimi i ndërmarrjeve publike

Shteti i Kosovës ka nën menaxhimin e tij këto ndërmarrje: Hekurudhat e Kosovës, Korporata Elektroenergjetike e Kosovës (KEK); Ndërmarrjen regjionale të ngrohjes në Gjakovë dhe Prishtinë; Ndërmarrjet e Ujit, Hedhurinave dhe Ujitjes; dhe Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës (PTK). Të gjitha këto ndërmarrje, brenda pronësisë së shtetit, janë të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit. Sa emër ironik. Kur në Kosovë nuk funksionon fare sistemi hekurudhor, kur qysh vonë kanë filluar të zhduken reduktimet masive të rrymës (në disa vende ende eksitojnë herë pas here), kur ngrohja mungon në dimrat më të vështirë, kur në plot vendbanime të Prishtinës nuk ka ujë pas orës 23:00, kur hedhurinat janë stoli e zakontë e gjithë qyteteve, kur punëtorët e PTK-së marrin rroga absurde (nga taksapaguesit, natyrisht) në krahasim me konkurrentët e tyre privat; emri “mirëbesim” nuk ka se si të interpretohet tjetër përpos hipokrizi e paskrupullt. Në një shkallë aq të madhe të korrupsionit, e cila ka bërë që besimi në politikanët të renditet i pari në listën e naiviteteve, pritja e qytetarëve të Kosovës që po këta politikanë në krye të shtetit mund t’i menaxhojnë këto ndërmarrje me sukses është tërësisht paradoksale. Qëndrimi i qytetarit të zakontë është që politikanët janë të këqij, por disi shteti si entit i veçantë nuk është dhe se ai mundet dhe duhet t’i udhëheq këto ndërmarrje. Por shteti s’është asgjë tjetër përpos shumës së politikanëve që e dirigjojnë, dhe aftësia e “tij” është po ajo shumë e aftësive, e mbi të gjitha vullnetit të politikanëve. Nëse qytetari i Kosovës beson se politikanët nuk kanë vullnet të mirë (janë të korruptuar) dhe në anën tjetër nuk janë të aftë, atëherë si është e mundur që po ai qytetar të presë që shteti t’i menaxhojë këto ndërmarrje me sukses? Duket sikur mendimi i qytetarit është zënë në një grackë qarkore. “Ah vetëm sikur t’i kishim politikanët e duhur!” Ka ardhur koha që qytetari ta kuptoj se problemi nuk është me kapitenët e Titanik-ut, por me vetë Titanik-un. Nuk është çështja se a janë të aftë dhe a kanë vullnet të mire politikanët t’i udhëheqin këto ndërmarrje, por se a ka madje mundësi fare që edhe me këto dy trajta keq-menaxhimi të shmanget. Argumenti im këtu është shteti as që ka mundësi praktike ti menaxhojë këto ndërmarrje me sukses edhe sikur po t’i mblidhte mendjet më të ndritura dhe më “morale” të Kosovës. Tentimi i çfarëdo entiteti të veproj si pronë publike e cila nuk udhëhiqet nga përfitimi (nuk do të thotë monetar patjetër) do të përfundoj në shërbim të dobët, çmime të larta, joefikasitet, mungesë të produkteve dhe shërbimeve, etj.

Dështimi i shtetit në menaxhimin e këtyre ndërmarrjeve, apo më mirë, në ofrimin e shërbimeve dhe produkteve si hekurudhat, energjia elektrike, uji, apo telekomunikacioni nuk është risi. Tentime të tilla kanë ekzistuar gjithmonë dhe ekzistojnë edhe sot në vende të ndryshme të botes. E vetmja karakteristikë që këto tentime e kanë të përbashkët është dështimi dhe si rezultat ulja e standardit të jetesës për qytetarët e vendeve të tyre. Qëllimi im në këtë pjesë është ta diskutoj në përgjithësi efektin e menaxhimit të një entiteti i cili nuk është pronë private por pronë publike, nga individë të cilët janë zgjedhur në mënyrë komplet arbitrare. Për të filluar, është e nevojshme të diskutohet rëndësia e pronës private. Pse duhet të kemi pronë private? Përgjigja e menjëhershme është rrallësia e burimeve. Për shkak se burimet me të cilat njeriu i përmbush nevojat e tij–burimet natyrore, ato kapitale ose fuqia punëtore–janë të kufizuara dhe nuk mund t’i shërbejnë të gjithë njerëzve të botës, është e rëndësishme që të krijohet një sistem i përdorimit të këtyre burimeve të rralla duke i kanalizuar në format më urgjente. Kur kërkesat e njeriut shkojnë gjithmonë duke u rritur, edhe me zhvillimin e tij por edhe me rritjen e popullsisë, këto burime të nevojshme për t’i përmbushur kërkesat shkojnë gjithmonë duke u zvogëluar. Po qe se njerëzimi do të jetonte në Kopshtin e Eden-it, problemi i rrallësisë nuk do të ekzistonte. Gjithkush do të mund t’i përmbushte nevojat e tij për shkak se burimet e nevojshme do të ishin të pakufizuara. Si rezultat, konfliktet për përdorimin e këtyre burimeve do të zvogëloheshin në maksimum. Në botën në të cilën njerëzimi jeton, fatkeqësisht kjo nuk është e mundur. Duke e ditur këtë realitet, prona private shërben si zgjidhje për dy arsye: 1) i zvogëlon konfliktet maksimalisht duke i vënë burimet nën kontroll të një individi, dhe 2) i kanalizon këto të mira në drejtim të nevojave më urgjente nëpërmes konceptit të përfitimit. Tek rasti i parë, konfliktet reduktohen për shkak se një objekt i rrallë tani e ka një pronar i cili është përgjegjës për të. Po mos të ekzistonte kjo, kërkesat e shumë individëve për ta përvetësuar atë pronë do të dërgonin në konflikte. Tek rasti i dytë, përfitimet dhe kostot e mbajtjes së asaj prone janë përgjegjësi e individit. Duke e ndjekur përfitimin, individi është i detyruar ta ofroj këtë pronë në shërbim të dikujt tjetër, përveç në ato raste kur përfitimi i tij qëndron në përmbushjen e nevojave personale të cilat natyrisht janë më urgjentet. Po qe se kjo pronë do të ishte publike, atëherë të gjithë ata të cilët kanë qasje në të do të mundoheshin ta shfrytëzojnë atë maksimalisht. Rezultati përfundimtar do të ishte shkatërrimi i saj.[17] Çdo formë e pronësisë publike, do të thotë shtetërore, nuk i ka këto dy karakteristika tejet të rëndësishme. Spitalet shtetërore janë rast klasik ku konfliktet lindin në përdorimin e burimeve të rralla. Mungesa e shtretërve i detyron stafin e spitalit ta përdorin një mënyrë arbitrare të racionimit. Nepotizmi është kriter i zakontë për ndarjen e shtretërve. Në anën tjetër, kërkesa për shfrytëzimin e kësaj prone është maksimale. Çdo pacient i sëmurë është indiferent ndaj përzgjedhjes në bazë të mundësive dhe dëshiron shërbim të plotë, e i cili nuk mund t’i ofrohet të gjithëve. Ky mos-diskriminim i kostove përkthehet në kosto më të larta për shkak se ka më pak presion në uljen e tyre. Në ekonomi ekziston një rregull i quajtur 2-me-1 (apo “rregulli burokratik i dyshit”), i cili nënkupton që çdo shërbim i ofruar nga shteti kërkon dyfish më shumë burime se sa që do të përdorte një ndërmarrje private.[18] Kjo do të thotë që shteti i shpërdoron burimet edhe një herë aq sa i përdor në tentim të ofrimit të shërbimeve të cilat në fund janë gjithashtu inferiore nga ato private. Nuk ka asnjë shembull në asnjë sferë të jetës, madje edhe në atë të shërbimit të mbrojtjes, ku shteti është superior ndaj ndërmarrjeve private.

E tëra kjo është rezultat i pronës publike dhe menaxhimit kolektiv. Është e zakontë t’i dëgjosh njerëzit duke thënë se shteti i ofron gjërat “falas”. Ky është keqkuptim tragjik. Vetëm të mirat në natyrë janë falas, madje edhe për to ekziston një kosto e cila duhet të paguhet në mënyrë që ato të mira të përvetësohen. Të gjitha shërbimet dhe të mirat e shtetit duhet të financohen nga taksat, inflacioni ose borxhet. Që të tria mund të vijnë vetëm nga sektori privat. “Falas” do të thotë ofrimi i një shërbimi me një çmim nën nivelin e tregut, përkatësisht zero. Murray Rothbard e shpjegon këtë në mënyrë të shkëlqyeshme:

“Si në çdo rast ku çmimet janë nën nivelin e tregut, një kërkesë e jashtëzakonshme dhe e tepërt nxitet për të mira, thellë përtej ofertës së tyre. Si rezultat, gjithmonë do të ketë “mungesa” për të mirat që jepen falas, ankesa të përhershme për pamjaftueshmërinë, përdorim të tepërt, etj. Për ta ilustruar, duhet thjesht t’i përmendim disa raste të zakonta si mungesa e policëve, veçanërisht në lagje ku ka shumë krim, mungesa e mësuesve dhe shkollave në sistemin publik të edukimit, bllokimi i trafikut në rrugët dhe autostradat e shtetit, etj. Në asnjë fushë të tregut të lirë nuk ekzistojnë mungesat kronike dhe pamjaftueshmëri. Në të gjitha fushat e ndërmarrjeve private, bizneset mundohen t’i nxisin dhe bindin konsumatorët që të blejnë më shumë produkte nga ta. Aty ku shteti është pronar, në anën tjetër, ka thirrje të ndryshme për konsumatorët që të kenë durim dhe të sakrifikojnë, [...]. Është e dyshimtë që ndonjë ndërmarrje private do ta bënte atë që shteti i New York-ut dhe qytetet tjera e kanë bërë: t’i paralajmëroj konsumatorët të përdorin më pak ujë. Është gjithashtu karakteristikë e veprimit të shtetit t’i fajësoj konsumatorët e jo veten kur ka mungesa të ujit. Presioni është në konsumatorët që të sakrifikojnë dhe të përdorin më pak ujë, kurse në sektorin privat presioni (i mirëseardhur) është në bizneset të ofrojnë më shumë”.[19]

Në Kosovë, rast aktual (në momentin kur po shkruhet ky artikull) janë mungesa e tabelave për vetura. Është qesharake që një produkt aq i thjeshtë të mos mund të ofrohet nga shteti. Megjithatë, është tërësisht e kuptueshme. Dështimi i shtetit nuk është rezultat i ndonjë mungese të përvojës në shërbimin civil, siç mendojnë njerëzit, por është trajtë e pandarë e shërbimit të tij.[20] Përveç mungesës së pronës private, ekziston edhe një arsye tjetër e cila nuk e lejon funksionimin e rregullt të shtetit në ofrimin e shërbimeve. Ajo arsye është fakti që shteti e ka pothuajse të pakufizuar fondin e burimeve që i përdor. Përkundër ndërmarrjeve private të cilat mund ti marrin fondet vetëm nga konsumatorët, duke u ofruar shërbime, ose nga investitorët, të cilët i rrezikojnë kursimet e tyre për përfitim, shteti mund t’i marrë ato nga të gjitha subjektet të cilët janë nën shtrirjen e shkopit të tij. Kur ndërmarrjet private nuk i shërbejnë konsumatorëve dhe si rezultat pësojnë humbje, ato rrezikohen me falimentim. Kur shteti nuk u shërben konsumatorëve, ose shërbimi që e ofron është i dobët, nuk e rrezikon falimentimin. Në fakt, e kundërta ndodh; dëmet rriten edhe më shumë. Nëse për shembull të hyrat e PTK-së zvogëlohen, atëherë taksat rriten që ato të humbje të mbulohen. Kjo na sjellë në një situatë ku taksapaguesit pa dëshirën e tyre i mbulojnë zbrazëtitë e lëna nga konsumatorët të cilët nuk janë pajtuar me blerjen e shërbimeve të PTK-së. Shteti, ndryshe nga ndërmarrjet private, nuk brengoset nëse konsumatorët nuk vijnë më, pikërisht për shkak të fondeve pothuajse të kufizuara. Kufizimi ekziston vetëm tek ndërmarrjet private, gjë që i bënë ato shumë të kujdesshme në mënyrë që të ofrojnë shërbime nga të cilat mund të përfitojnë. Për ta bërë këtë ato i zgjedhin njerëzit më të aftë dhe i marrin vendimet më të matura. Në anën tjetër, shteti nuk e ka këtë nxitje. Askush në shtet nuk është përfitues direkt, por vetëm pjesë e një strukture të madhe burokratike. Askush nuk ka nxitje që të ofrojë produkte më të mira sepse nuk ekziston shpërblimi i përfitimit. Aftësitë që punëtorët e shtetit i zhvillojnë kalojnë prej atyre ekonomike në ato politike; si të përfitohet simpatia e shefave të tyre të cilët i marrin vendimet kryesore. Shteti pra, nuk funksionon nën mekanizmin e tregut të quajtur përfitim-dhe-humbje.[21] Nuk shpërblehet me përfitim për inovacion ose përmirësim të produkteve, e as nuk dënohet me falimentim kur dështon. Mbetet gjithmonë i njëjtë dhe vazhdon ti shpërdoroj fondet e marra deri në momentin kur ai aktivitet shuhet nga format politike ose diskreditimi i plotë publik.[22]

Disa ekonomistë besojnë se shteti mund të funksionoj në model të bizneseve private duke i përdorur çmimet e nxjerra nga tregu dhe duke i kontraktuar ndërmarrjet private në mbarëvajtjen e shërbimeve që synon t’i ofroj. Kjo, megjithatë, i ka problemet e veta. Çështja nuk është vetëm tek ana teknike e ndërtimit të një ure apo një rruge; problemi fillestar është vetë vendimi për ta ndërtuar një urë apo një rrugë. Në sferën private, bizneset i marrin vetëm ato vendime të cilat besojnë se do t’ju sjellin përfitim. Dhe si është thënë vazhdimisht, të vetmet vendime që sjellin përfitim janë ato ku shërbehet konsumatori. Në anën tjetër, shteti nuk merr vendime në bazë të përfitimit por në bazë të dirigjimeve politike dhe kënaqjes së grupeve të ndryshme të interesit. Është e pamundur për shtetin ta dijë se çfarë vendime duhet të merren, apo sa fonde duhet të rezervohen për to, nëse nuk e ka përfitimin parasysh. Nga kjo e kuptojmë logjikisht që çdo shpenzim i shtetit, si rregull, është joefikas dhe i shërben vetëm një grupi të caktuar në dëm të gjithë taksapaguesve të cilët i kanë bërë ato fonde të mundura. Problemet megjithatë nuk përfundojnë këtu. Për shkak se ka një fond pothuajse të pakufizuar me të cilin ndërmarrjet private nuk mund të garojnë, shteti e ka përparësinë absolute në tërheqjen e burimeve si kapitalin dhe fuqinë punëtore në drejtim të aktiviteteve joefikase të tij. Nëse flasim për ndërtimin e rrugëve, për shembull, burimet e nevojshme si automjetet e rënda, asfalti, dheu, fuqia punëtore etj., të gjitha mund t’i tërheqë nga përdorimi efikas i sektorit privat. Një automjet i rëndë nuk mund të ekzistoj paralelisht në dy vende, përdorimi i tij në rrugë do të thotë mungesë diku tjetër. Efekt tjetër natyrisht është rritja e çmimeve si rezultat i rritjes gjigante të kërkesës. Edhe ato mjete që ekzistojnë dhe janë në dispozicion bëhen të shtrenjta për tu përdorur. Ndikimi më negativ është ai i rritjes në normën e interesit i cili e dëmton huamarrjen e kapitalit. Ky koncept në ekonomi është i famshëm dhe njihet si ‘grumbullim’, që do të thotë grumbullim i mjeteve nga sektori privat, duke e zvogëluar investimin aty, në drejtim të sektorit shtetëror, duke e rritur shpenzimin aty.[23] Natyrisht, shpenzimi shtetëror nuk mund të quhet “investim” për shkak se nga ai nuk priten të ardhura. E njëjta ndodh edhe me menaxhimin e ndërmarrjeve. Për funksionimin e tyre, shpenzimi është i nevojshëm. Efektet e shpenzimit në infrastrukturë janë të njëjta me ato të shpenzimit në ndërmarrje. Kur PTK-ja blen teknologji shtesë për rrjet, kjo i rrit çmimet dhe e bënë më të vështirë konkurrencën e bizneseve tjera që gjinden në treg. E njëjta ndodh me menaxhimin e ujit, madje me pasoja edhe më negative. Në vend se të ketë konkurrencë në ofrimin e ujit, në Kosovë ekziston vetëm shërbimi shtetëror i cili natyrisht është i kufizuar dhe i papastër. Në ato raste ku ka deficite, do të thotë më pak të hyra se shpenzime, e që besoj se ka në shumë ndërmarrje publike por ato nuk raportohen, shteti tenton ti rrisë çmimet për t’i mbuluar këto deficite. Për ironi, kjo ka efekt krejt negativ. Me çmime më të mëdha bie kërkesa sepse çmimi largohet nga pika optimale e tij, sidomos nëse flasim për ato shërbime për të cilat kërkesa është elastike. Me rënien e kërkesës bie volumi dhe si rezultat të hyrat. Në vend që çmimet e larta t’i ulin deficitet, ato i rrisin dhe menaxhimi i ndërmarrjeve bëhet edhe më i vështirë.

Në kuadër të idesë së imitimit të modelit privat, është sugjeruar gjithashtu që shteti mund t’i përdor kostot margjinale si kriter për vënien e çmimeve për shërbimet që i ofron. Ky kriter është i gabuar sepse bazohet në idetë klasike që kostot e prodhimit e përcaktojnë çmimin, siç është diskutuar më lartë tek taksat. Mjetet e marrin vlerën prej qëllimit, e jo e kundërta. Gjithashtu, kostot mesatare janë të barabarta me çmimet vetëm në një sistem të ekuilibrimit të plotë statik. Natyrisht, ky konstrukt fiktiv shërben vetëm për ta studiuar ekonominë në një gjendje ku mungon rreziku, pasiguria dhe ndryshimi si trajta të veprimit njerëzor.[24] Në botën e vërtetë, kostot margjinale kanë prirje për t’u barazuar me çmimet por si rezultat i ndryshimeve kjo arrihet vetëm përkohësisht ose kurrë.

Efekti i shpenzimit dhe pronësisë shtetërore është negativ madje edhe para se të vihet në veprim. Në ato industri ku mendohet se shteti do të ndërhyjë, prodhuesit janë të dekurajuar të investojnë ose ta zgjerojnë investimin. Ky është shembull i asaj që Robert Higgs e quan “pasiguri e regjimit”, një pasiguri e përgjithshme që ndjehet nga prodhuesit që qon në uljen e investimeve në ata sektorë ku prodhuesit mendojnë që shteti do të ndërhyjë.[25] Kjo është e dukshme qartë në Kosovë; investimet janë shumë të ulëta në ato fusha ku shteti është i përfshirë.[26]

Një kundër-argument tjetër që po përdoret tani në një periudhë kur qeveria e Kosovës po mendon ti privatizoj disa ndërmarrje është që fondet që do të merren nga shitja e ndërmarrjeve publike do të shpërdorohen nga politikanët dhe procesi i privatizimit do të sabotohet në favor të grupeve të interesit. Ky është argument i drejtë dhe jam i bindur se nëse privatizimi do të ndodhë do të ketë parregullsi dhe shumë fonde do të vidhen. Megjithatë, mbajtja e këtyre ndërmarrjeve nënkupton kosto shumë më të mëdha se paratë eventuale që mund të vidhen kur këto të shiten. Më i mirë është një dëm i madh që shuhet, se një dëm mesatar që gjithmonë mbetet aty. Nëse shteti vazhdon t’i mbaj nën kontroll këto ndërmarrje që i ka tani, do ta zëvendësoj efikasitetin ekonomik me nepotizmin, korrupsionin, shpërdorimin e taksave, mungesën e shërbimeve, kualitetin e dobët, çmimet e larta etj., ashtu siç e ka bërë vazhdimisht deri më tani. Kjo do t’i dëmtoj qytetarët e Kosovës edhe si konsumatorë edhe si prodhues.

Në fund, është tejet e rëndësishme të ceket që privatizimi nuk është i mjaftueshëm nëse ndërmarrjet pastaj rregullohen ose mbikëqyren nga shteti. E gjithë esenca e privatizimit është largimi i kontrollit negativ shtetëror. Nëse ndërmarrjet që privatizohen mbesin prapë në një formë apo tjetër të kontrolluara nga shteti ato nuk do të mund të funksionojnë në mënyrën më efikase. Shembull konkret është privatizimi i hekurudhave në Britani në vitin 1996. Kur hekurudhat u privatizuan, shteti thjesht e bëri transferimin e pronësisë por nuk i hoqi shumë nga rregullat dhe mbikëqyrjet e vëna në kohën kur hekurudhat ishin pronë publike. U krijuan tri zyra të veçanta rregullative për përcaktimin e çmimeve për konsumatorët, çmimeve në mes operatorëve të trenave dhe pronarëve të hekurudhave (pronësia e trenave dhe hekurudhave njëkohësisht nuk lejohej), kohëzgjatja e kontratave në mes operatorëve dhe pronarëve, subvencionet, etj.[27] Ky intervenim e dëmtoj funksionimin e rregullt të hekurudhave, gjë që i dha shkas partisë qendër-majtiste New Labour në krye me Tony Blair t’i zgjerojë edhe më shumë këto rregullacione duke e dëmtuar më tej sistemin hekurudhor. Natyrisht, e njëjta vlen edhe për rregullimin e jo vetëm bizneseve por edhe të tregjeve në përgjithësi, si për shembull nëpërmes licencave.

Rregullacionet, licencat dhe akreditimet

Shteti i Kosovës nuk është shumë i përfshire në rregullimin e bizneseve. Ndërhyrja më e madhe ndoshta mund të thuhet se është ligji i punësimit i cili nuk është edhe aq i ashpër në krahasim me ekonomitë e përafërta.[28] Mbi të gjitha, ky ligj nuk zbatohet plotësisht kurse punëtorët janë të dekurajuar t’i padisin bizneset për shkak të sistemit shumë të dobët gjyqësor. Regjistrimi i biznesit është relativisht i thjeshtë. Megjithatë, çfarëdo probleme që lindin aty duhen t’i atribuohen burokracisë dhe joefikasitetit të administratës publike e jo ligjeve rregullative. Janë licencat dhe akreditimet ato që luajnë rol më të rëndësishëm në rregullimin e bizneseve dhe tregjeve në Kosovë. Arsyeja kryesore për këtë është korrupsioni sistematik i cili e ka për qëllim zhvatjen e prodhuesve të vegjël dhe të mesëm në çdo rast ku i epet mundësia. Në të njëjtën kohë, ky korrupsion sistematik i siguron privilegje të veçanta monopoliste bizneseve që janë më të mëdha e që kanë lidhje të afërta me shtetin. Shembull konkret janë licencat absurde për telekomunikacion apo akreditimet për universitete. Në përgjithësi, arsyetimi i licencave dhe akreditimeve shtrihet në këto fusha: (1) kontroll i kualitetit të shërbimit ose produkteve; (2) kontroll i sasisë së shërbimit ose produkteve me qëllim të përcaktimit të numrit “optimal” (planifikim qendror); (3) formë e proteksionizmit kundër ndërmarrjeve të huaja; si dhe (4) burim i të ardhurave shtetërore. Le t’i qasemi secilës nga arsyet dhe të shohim nëse vlejnë.

(1) Që ta diskutojmë çështjen e vlerësimit të kualitetit të shërbimeve dhe produkteve nga shteti duhet t’i bëjmë dy pyetje. Së pari, a janë burokratët e shtetit 100% të sinqertë në këtë vlerësim, siç është konsumatori i cili i bënë këto vlerësime për përmirësimin e jetës së tij? Së dyti, nëse janë të sinqertë, a janë të aftë burokratët e shtetit ta përcaktojnë kualitetin e një shërbimi ose produkti më mirë se vetë konsumatori ose prodhuesi? Për të dy pyetjet përgjigja është jo.

Kur e diskutojmë sinqeritetin, kemi të bëjmë me doza të mëdha të skepticizmit. Është e pamundur që një burokrat të jetë më i merakosur për mirëqenien e individit më shumë se vet ai. Është e vështirë të besohet se vendimet që shteti i merr për licencim janë produkt i vlerësimit të sinqertë e jo të ndonjë akti klasik të korrupsionit. Kur individi bënë vlerësim të produkteve, ai nuk e gënjen veten për shkak se e dëshiron më të mirën për vete. Askush nuk i jep ryshfet vetës ta blejë një produkt tjetër në vend të atij për të cilin ka nevojë. Në anën tjetër, vendimet e shtetit janë tërësisht të dyshimta dhe gjinden nën presion të vazhdueshëm të grupeve të interesit të cilat janë të gatshme t’i korruptojnë burokratët për t’i plasuar produktet dhe shërbimet e tyre në treg. Kjo nuk duhet të na çudisë për shkak se në jetë të përditshme përballemi me plotë produkte të licencuara të cilat konsumatorët nuk i dëshirojnë apo të cilat në fund rezultojnë në dëme shëndetësore që licencat duhet t’i kishin evituar.[29] Një mjek i licencuar 20 vjet më parë mund shumë lehtë të mos ketë lexuar më shumë se dy libra që nga diplomimi i tij. Në anën tjetër, çka din bordi i licencave për telekomunikacion? Po qe se do të ishin aq të mençur do ta hapnin kompaninë e tyre dhe do të dilnin në treg për të fituar. Apo mos vallë ryshfeti që i paguhet është më i madh se përfitimet eventuale në treg? Në një shtet ku korrupsioni është fjala e parë që të vije në mend, është absurde të besohet në sinqeritetin e burokratëve kur flasim për përcaktimin e cilësisë për produktet dhe shërbimet e tregut.

Së dyti, “kualiteti” është term tejet relativ e tejet subjektiv. Çka do të thotë “produkt kualitativ”? Një vlerësim të tillë mund ta bëjë vetëm konsumatori i cili e arrin atë subjektivisht dhe është i gatshëm ta mbështesë me paratë e tij duke e blerë. Konsumatorët udhëhiqen prej dëshirave dhe shijeve të tyre. Edhe pse është e logjikshme të mendohet që dy ose më shumë konsumatorë mund t’i kenë shijet e përafërta ose të njëjta, është naive të thuhet se personi A e din sa çka i duhet personit B më mirë se vet ai. Disa e bëjnë dallimin në mes kualitetit dhe “standardit”. Ata thonë që standardi nënkupton një masë më serioze e më teknike se sa kualiteti i cili shihet si kriter më estetik. Megjithatë, edhe kur jemi tek standardet, të njëjtat principe vlejnë. Standardet janë subjektive dhe ndryshojnë gjithmonë. Asnjëherë nuk mund të ketë “standard” në kuptimin e plotë të fjalës, por vetëm një grup normash që preferohen në një moment të caktuar. Ajo çka i përcakton standardet është konkurrenca e individëve varësisht nga qëllimi të cilit i shërbejnë. Është në interes të gjithë bizneseve që ato të veprojnë në standardet “më të larta”, por këto standarde të larta arrihen vetëm si produkt anësor i bizneseve tjera konkurrente të cilat kontribuojnë margjinalisht në krijimin e tyre. Për shembull, nëse flasim për standarde të sigurisë, është në interes të bizneseve që standardet të jenë sa më të mira sepse prona e tyre dhe kapitali i investuar duhen të jenë të mbrojtura fizikisht. Një formë e caktuar e standardit të sigurisë pastaj kopjohet dhe aplikohet në një biznes tjetër, i cili e përmirëson këtë sipas nevojës, duke quar kështu në krijimin e një standardi të ri më të mirë. Natyrisht, “perfeksioni nuk arrihet kurrë, vetëm mund të ndiqet”.

Është tejet e rëndësishme të kuptohet që përmirësimi i standardeve është i varur prej mundësisë për t’i ndryshuar. Nëse shteti e përcakton një standard, atëherë ai e ndalon ndryshimin. Kjo qon tek ngecja e standardeve dhe vjetërsimi i tyre. Argumenti është që edhe shteti mund t’i ndryshoj standardet kur është nevoja, ashtu si bizneset. Ky është argument i gabuar sepse burokracia shtetërore nuk vepron në interes të individëve tjerë por në atë personal. E njëjta vlen edhe për bizneset. Megjithatë, dallimi kryesor është që tek bizneset është koncepti i përfitimit ai i cili i detyron ato t’i shërbejnë konsumatorëve. Përderisa shteti nuk mund të përfitoj legjitimisht nga ofrimi i shërbimeve (por vetëm nën tavolinë), atëherë nuk ka fare interes që ta përshpejtoj aplikimin e standardeve të reja dhe si rezultat e bënë këtë me hapa të kërmillit. Shteti nuk është dinamik si bizneset dhe vepron nën presionin e madh të grupeve të ndryshme të interesit. Për shembull, pronarët e hekurudhave dhe trenave janë gjithmonë në favor të “standardeve më të larta” për pronarët e taksive sepse kjo e vështirëson marrjen e licencave për taksi. Si rezultat, zvogëlohet numri i tyre, rriten çmimet dhe njerëzit detyrohen t’i përdorin trenat më shumë duke ua bartur fitimin atyre. Në Austri, licenca e floktarit kërkon një proces të mundimshëm që zgjatë gati 5 vite. Ky standard i përcaktuar nga shteti nuk është rezultat i ekspertëve të floktarisë në qeverinë austriake, por rezultat i presionit të floktarëve të cilët veç janë në treg dhe dëshirojnë ta monopolizojnë pozitën e tyre duke e zvogëluar ofertën dhe rritur çmimet. Është mit tragjik të besohet se shteti ka “ekspertë” të cilët i “dinë gjërat”. Shumica dërrmuese e ekspertëve punojnë në sektorin privat e jo në atë shtetëror. Është tragjike të mendohet që një entitet i cili është shembull i joefikasitetit konstant mund të shërbejë si përcaktues i drejtë i standardeve. Ideja që “qeveria” e Kosovës ka njerëz të aftë të përcaktojnë standarde të ndryshme për ushqim, vetura ose arsim më mirë se konsumatorët dhe ofertuesit është plotësisht qesharake. Duke i larguar vendimet e kualitetit prej konsumatorëve dhe ato të standardit prej prodhuesve, shteti e krijon një situatë të joefikasitetit dhe monopolizimit ku nevojat e konsumatorëve nuk përmbushen dhe prodhuesit janë të kufizuar në ofrimin e shërbimeve të përmirësuara.

Mbi të gjitha, të ardhurat gjithashtu janë përcaktues të kërkesës. Konsumatorët diskriminojnë në çmim çdo ditë kur blejnë produkte të cilat janë subjektivisht superiore ose inferiore ndaj njëra tjetrës. Shembull konkret është vetura e cila mund të blihet për çmime të ndryshme që i përshtaten klasave të pasurisë. Individët blejnë vetura të cilat ata vetë i vlerësojnë si të standardit “më të ulët” për shkak të mundësive financiare më të ulëta. Nuk ka asgjë të keqe nëse një konsumator e preferon një shërbim mjekësor më pak të specializuar për një çmim më të ulët sepse i ka mundësitë më të vogla. Shume individë në Botën e Tretë nuk kanë mundësi t’i paguajnë shërbimet e plota dhe janë të gatshëm ta rrezikojnë mjekimin në një ambient më pak higjienik ose nën shërbimin e mjekëve me më pak përvojë. Në ato raste ku licencat kërkojnë nivel më të lartë të shërbimit, këta individë mbesin pa shërim sepse shërbimi bëhet i paligjshëm. Është e drejtë e tyre të vendosin se çka do të bëjnë me trupin e tyre dhe fakti që shteti po i mbyll mundësitë që ata do t’i kishin zgjedhur vullnetarisht nënkupton që po vepron në një mënyrë të kundërt me dëshirat e tyre. Natyrisht që konsumatori do të bënte zgjedhje tjera që ai i vlerëson si më të mira po qe se do t’i kishte të ardhurat më të larta. Megjithatë, ky problem ekonomik i të hyrave të vogla apo çmimeve të larta mjekësore nuk mund të zgjidhet nga licencat të cilat e ulin sasinë e shërbimeve mjekësore dhe i rrisin çmimet.

Konsumatorët në përgjithësi janë të tmerruar nga ideja e mungesave të licencave mjekësore. Ata mendojnë se po qe se shteti i gjithëdijshëm nuk i “filtron” individët, shoqëria do të përfundoj në kaos ku “secili mund të bëhet mjek” dhe konsumatorët e gjorë duke mos e njohur mjekësinë, nuk do të mund ta vlerësonin kualitetin duke përfunduar kështu në duart e një amatori. Jam kureshtar ta dijë se si e vlerësojnë konsumatorët veturën si produkt nëse nuk janë ekspertë? Aksidentet nga veturat janë pakrahasim më të mëdha se ato mjekësore. Kjo nuk e pengon konsumatorin të ndjehet shumë më i sigurt në përzgjedhjen e veturës se sa shërbimin mjekësor. Dallimi kryesor është që në tregun e veturave ekziston një liri shumë më e madhe se në atë të shërbimeve mjekësore. Kjo liri e ka mundësuar konkurrencën, efekti i së cilës ndër të tjera është ofrimi i shërbimeve më të sigurta. Markat më të njohura të veturave garojnë çdo vit për çmime të sigurisë që ndahen nga revista dhe organizata të ndryshme. Ato ofrojnë informacione të përpikta për funksionimin teknik të veturave si dhe për inovacionet e tyre në siguri. Rripi i sigurisë nuk është produkt i rregullacioneve shtetërore por inovacion i markave të veturave për të fituar më shumë pikë në “tabelën” e sigurisë. A pritet që një markë e veturave ta largoj rripin e sigurisë nëse shteti nuk e kërkon më atë nga to? Pyetje retorike. Markat e veturave si dhe çdo biznes tjetër i udhëhequr nga përfitimi gjithmonë i kërkojnë ato situata ku ka mangësi në mes kërkesave të konsumatorit dhe ofrimit të tyre. Në ato raste ku kërkesa nuk shërbehet, bizneset nguten ta ofrojnë për ta kapur mundësinë e përfitimit. Por veprimi i tyre nuk është vetëm retrospektiv, ai ka ndikim direkt edhe në konkurrentët tjerë. Për shembull, është në interes të Audi të gjejë dobësi në sistemin e sigurisë të BMW. Arsyeja është se çdo dështim i BWM është fitore e Audi dhe e kundërta. Sa herë që markat e veturave i ofrojnë veturat e reja për shitje, të gjitha markat konkurrente nguten t’i blejnë e t’i studiojnë si modele dhe si mundësi për të dhënë vërejtje të sigurisë. Çdo vërejtje që e gjejnë e raportojnë në publik nëpërmes kanaleve të tyre të marrëdhënieve me publikun. Kjo shkakton presion të madh në ato vetura të cilat kanë dobësi, e varësisht nga dobësia edhe humbje ekonomike (si tani me Toyota). Natyrisht kjo humbje ekonomike është në favor të konkurrentëve tjerë por njëkohësisht i sinjalizon ata që duhet të jenë më të kujdesshëm me veturat e tyre. Krahasojeni tani këtë formë të sigurisë me atë që e ofron “komiteti kombëtar për sigurinë e veturave”. Së pari, ata burokratë as që kanë njohuri të përafërta me firmat e mëdha në treg. Edhe po qe se dëshirojnë ta mbrojnë publikun ata nuk e dinë se cilat janë vetura të sigurta e cilat nuk janë. Po qe se do ta dinin, do të punonin për Audi dhe do të fitonin shumë para. Së dyti, ata mund të korruptohen lehtë dhe ta mbyllin gojën. Si mund të korruptohet Audi nga BMW nëse kjo e para ka gjetur një dobësi në sistemin e tyre? Është rast unik, që vjen ndoshta një herë në jetë, që Audi t’i japë goditje kolosale BMW duke e diskredituar publikisht dhe duke e larguar nga konkurrenca. Vetëm konkurrencës së lirë mund t’i besohet cilësia dhe siguria maksimale, e jo individëve të padijshëm cilët janë zgjedhur nga individë tjerë të padijshëm. Edhe shërbimet mjekësore janë në fund të fundit shërbime dhe si të tilla mund të blihen, shiten, vlerësohen, përmirësohen etj. Edhe këtu roli i konkurrencës së lirë është kyç. Ashtu si markat e veturave që kanë reputacion dhe rrezatojnë me besueshmëri, ashtu mund të bëjnë edhe bizneset mjekësore. Është në interes të biznesit mjekësor të suksesshëm A t’i demaskoj praktikat e pamoralshme apo joprofesionale të biznesit të keq B. Ashtu si në tregun e veturave, edhe bizneset mjekësore do të mundohen të gjejnë dobësi në shërbimet e konkurrentëve dhe ta bëjnë dallimin duke i përmirësuar shërbimet e veta. Është e nevojshme prandaj që në mjekësi të krijohen të njëjtat kushte si ato në industri të veturave; konkurrencë e lirë dhe e plotë në mes individëve apo bizneseve.

Problemi tek ata që besojnë se licencat mjekësore janë të nevojshme është që ata mendojnë se largimi i tyre i jep të drejtë mjekëve të lëndojnë ose edhe të mbysin pacientë. Largimi i licencave mjekësore nuk do të thotë që mjekët e vetëquajtur mund të bëjnë çka dëshirojnë me pacientët; ligjet universale të respektimit të pronës private (trupi është pronë private) ende ekzistojnë bashkë me ligjet kundër mashtrimit. Mungesa e licencave për shitjen e pijeve nuk do të thotë që prodhuesit e tyre mund ta shkruajnë “lëngë molle” në etiketë kur në to ka ujë. Ky është mashtrim dhe dënohet nga ligjet universale të mashtrimit. Po ashtu, mungesa e licencave mjekësore nuk do të thotë që mjeku mund t’i lëndoj pacientët sepse ligjet universale të dhunës ende mbesin në fuqi. Në ato raste kur mjekët e vetëquajtur argumentojnë që sulmi i tyre ka qenë fatkeqësi mjekësore e jo sulm fizik, atëherë është çështje e gjykatave ta zgjidhin kontestin. Mungesa e licencave mjekësore nuk do të thotë krijimin e licencës për të vrarë. Natyrisht që duke qenë produkt i njeriut, i cili gabon, markat e veturave si dhe bizneset mjekësore i kanë bërë gabimet e tyre. Por nëse kjo është arsye por të mos i besuar kurrë më atyre, atëherë është arsye edhe më e madhe për të mos i besuar burokratëve të shtetit të cilët i kanë licencuar ato në rend të parë.[30]

I njëjti problem është edhe me arsimin në Kosovë. Universitetet e reja që janë hapur po fajësohen si të dobëta për shkak se po i japin diplomat pa një proces të denjë të verifikimit dhe formësimit edukativ. Për këtë është fajësuar privatizimi, sepse tani universitetet po udhëhiqen nga koncepti i përfitimit e jo nga ofrimi i “të mirës së përbashkët”. Edhe unë pajtohem që universitetet në Kosovës janë të cilësisë së ulët, sa do që subjektive është kjo deklaratë dhe nuk mund të verifikohet lehtazi. Mirëpo, problemi nuk është privatizimi por akreditimi. Akreditimi e ka zvogëluar sasinë e universiteteve në krahasim me numrin që do të ekzistonte në një treg të lirë, duke quar kështu në një monopolizim të universiteteve që veç janë brenda në treg. Zvogëlimi i konkurrencës e ulë inovacionin dhe i bënë firmat monopoliste më pak të prira për të bërë përmirësime. Çdo kërkesë e konsumatorëve ka prirje të shërbehet nga ofertuesit. Nëse në Kosovë ekziston kërkesa për një proces më të denjë të verifikimit edukativ dhe diploma më “domethënëse”, atëherë tregu mund ta ofrojë këtë. Mirëpo, parakushtet janë që akreditimi të hiqet dhe ardhja e universiteteve të reja në treg të jetë e lirë. Është absurde të mendohet që shteti, i cili ka dështuar tërësisht në menaxhimin e arsimit fillor dhe të mesëm, të jetë në krye të vlerësimit se cili universitet e meriton të jetë në treg. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për më shumë zgjedhje në edukim dhe kjo mund të bëhet vetëm duke i nxitur universitetet e tanishme dhe ato të reja të garojnë me shërbime më të mira në një treg të lirë. Akreditimi e bënë te kundërtën; i shpërblen universitetet që e paguajnë hipokrizinë e shtetit në dëm të atyre që janë të gatshme t’i shërbejnë gjeneratave të reja. Si mund të jetë një universitet prodhues i vlerave etike kur gjatë krijimit të tij i ka shkelur po ato vlera duke pranuar t’i paguaj akredituesve ryshfete? Universitetet botërore me vlera të forta etike dhe famë as që mund ta imagjinojnë kalimin nëpërmes një procesi të tillë për ta fituar të drejtën për ligjërim në Kosovë. Nuk është çudi që arsimi i lartë është në greminë.

Në fund, është e rëndësishme të ceket edhe një efekt tjetër negativ i licencave që është disi më i fshehur. Licencat japin autoritet apo reputacion artificial. Por edhe po qe se do të epeshin me meritë të plotë, standardet që i licencuari i ka përmbushur kur e ka marrë licencën mund të kenë ndryshuar. Natyra statike e licencave nënkupton që të licencuarit tani janë të liruar nga ndryshimi dhe përparimi për shkak se e kanë një dokument i cili i jep atyre të drejtë të veprojnë në një fushë të caktuar. Kjo i dekurajon ata plotësisht nga përmirësimi, sidomos nëse shërbejnë në institucione shtetërore. Pse të shpenzojnë para për edukim profesional shtesë kur ata e kanë të siguruar vendin e punës? Kështu në vend se të nxitet përmirësimi dhe aplikimi i metodave të reja të punës, që pothuajse gjithmonë janë më të mira se të vjetrat, nxitet një “gjumë dimëror” i të licencuarve duke i shtyrë ata nga degradimi profesional. Në fund konsumatori duhet të përballet me këtë degradim për shkak se është i detyruar t’i përdor së paku disa nga këto shërbime të këqija (përderisa ka ndonjë formë të shtetit). Të aksidentuarit në trafik gati të gjithë janë me licenca dhe rastet kur aksidentet mund t’i atribuohen vozitësve të pa licencuar janë mikroskopike. E njëjta është edhe me fusha tjera të jetës ku ka licenca. Krijohet një besim artificial i pabazë në individë vetëm për shkak se shteti i ka dhënë atyre një dokument shumë kohë më parë i cili u garanton veprimin. Në treg të lirë, kjo nuk do të mund të ndodhte sepse e kaluara nuk luan rol aq të madh sa e tashmja. Në treg të lirë, të gjithë ofertuesit do të duhet të ishin të gatshëm të ofrojnë produkte të cilat konsumatorët do t’i dëshironin, e jo produkte të cilat një organ shtetëror i ka dekretuar. Inovacioni, i cili është rezultat i konkurrencës së lirë, është pothuajse i pamundur në regjimin e licencave. Në vend se bizneset t’i plotësojnë dhe t’i përshtaten kërkesave të konsumatorit që ndryshojnë me kohen, ato janë të detyruara ta ndjekin kodin shtetëror duke i bërë shërbimet e tyre peng të dëshirave politike.

(2) Argumenti tjetër për licencat dhe akreditimet është ai i planifikimit qendror: shteti duhet ta përcaktojë numrin e produkteve dhe shërbimeve në një regjion apo qytet për ta siguruar përdorimin “optimal”. Ky është argument tipik socialist dhe do të ishte humbje kohe të diskutohet në detaje. Oferta dhe kërkesa janë rregullatorët që e dinë më së miri sa duhet të jetë numri i taksistëve, i mjekëve, i veturave, etj. Individët duhet të jenë të lirë të ofrojnë shërbime dhe konsumatorët të jenë të lirë të blejnë shërbime. Bashkëveprimi i tyre në treg e përcakton numrin optimal, e jo zyrat e Gosplan-it. Rezultati i përdorimit të licencave si mjet i planifikimit qendror është krijimi artificial i pamjaftueshmërisë (rrallësisë) ekonomike.

(3) Argumenti që licencat duhet të përdoren si formë e proteksionizmit kundër ndërmarrjeve të huaja nuk ka nevojë të diskutohet edhe një herë sepse këtij i jam përgjigjur kur e kam diskutuar merkantilizmin më lartë. Çdo pengim i bizneseve të huaja nëpërmes licencave i shkakton po të njëjtat pasoja me ato të proteksionizmit dhe është i dëmshëm për efikasitetin ekonomik.

(4) Argumenti që shteti duhet t’i përdor licencat për t’i rritur të hyrat është qesharak por jo i pazakontë. Shteti është aq i paskrupullt sa që është i gatshëm t’i shkaktojë të gjitha këto dëme ekonomike nëpërmes licencave vetëm sa për t’i rritur të ardhurat e tij (të gjithë e dimë se ku shkojnë ato të ardhura shumicën e kohës). Ky argument nuk mund të arsyetohet as nga pikëpamja utilitariste e analizës kosto-përfitim, as nga pikëpamja e drejtave natyrore, dhe as nga pikëpamja ekonomike. Dy të parat nuk do të diskutohen sepse pjesa etike është lënë qëllimisht jashtë këtij artikulli për një herë tjetër. Efekti ekonomik veç është diskutuar.

Si përfundim, duhet të bëhet dallimi i efektit të licencave në mes bizneseve dhe fuqisë punëtore. Sa i përket bizneseve, licencat nuk i rrisin patjetër çmimet në një treg vetëm për shkak se e ulin numrin e bizneseve aty. Bizneset e licencuara brenda tregut mund ta rrisin ose zvogëlojnë sasinë e përgjithshme të produktit dhe shërbimeve duke ndikuar në çmim. Faktor i rëndësishëm është elasticiteti i kërkesës. Në anën tjetër, licencat kanë efekt të njëanshëm në fuqinë punëtore. Kufizimi në punësim që ato e shkaktojnë patjetër shkakton rritjen artificiale të çmimit të fuqisë punëtore: pagave.[31] Natyrisht, ndryshimi artificial i çmimeve, qoftë fjala për interes, renta apo paga, duhet si rregull të shkaktojë rezervimin joefikas të burimeve.

Të gjitha monopolet janë burim i ndërhyrjes së shtetit në treg, ose nëpërmes subvencioneve si privilegje të veçanta ose nëpërmes rregullimit të tregut me licenca.[32] Efekti i licencave është zvogëlimi i sasisë së shërbimeve që natyrisht rezulton në çmime më të larta. Zvogëlimi i konkurrencës e ulë inovacionin dhe i bënë faktorët monopolist më pak të prirë për të bërë përmirësime të shërbimeve. Në vend se ta përmirësojnë shërbimin mjekësor, licencat e bëjnë të kundërtën. Qasja në shërbimet mjekësore vështirësohet sidomos tek të varfrit të cilët nuk mund t’i paguajnë çmimet e rritura. Në fund të fundit, mjek të “këqij” prapë futen në treg për shkak se përgjegjësit për licenca nuk janë të sinqertë apo të gjithëdijshëm dhe për shkak se norma e mjekut të “mirë” është ajo më moderne e jo ajo caktuar kohë më parë. Është e vërtetë që ka raste kur licencat i parandalojnë individët që s’kanë të bëjnë aspak me mjekësi dhe dëshirojnë të ofrojnë shërbime. Por dëmi i licencave është pakrahasim më i madh se ky numër mikroskopik, i cili tek e fundit mund të filtrohet nga tregu si rezultat i konkurrencës. Është tejet e rëndësishme për shtetin e Kosovës që t’i largojë çdo formë të licencave (licencat e vozitjes do të vepronin ndryshe në një sistem të rrugëve private)[33] duke e mundësuar konkurrencën e lirë, rritjen e cilësisë dhe uljen e çmimeve. Të gjitha këto janë parakushte të rritjes në standardin e jetesës.

Pengimi i investimeve të huaja

Çështja e investimeve të huaja është tema më e rëndësishme që duhet të diskutohet në lidhje me ekonominë e Kosovës. Ekonomisti legjendar austriak, Ludwig von Mises, i ka quajtur investimet e huaja si “ndodhinë më të madhe të shekullit të 19-të”.[34] Për ta kuptuar rëndësinë e tyre, duhet së pari të analizohet problemi i përgjithshëm ekonomik në Kosovë. Pse është Kosova vend i varfër? Pas kësaj duhet të studiohet rëndësia e kapitalit dhe forma e vetme për zhvillimin e tij. Së treti dhe së fundi, duhet të shihet se si shteti i Kosovës po vepron kundër akumulimit të këtij kapitali i cili është bindshëm faktori më i rëndësishëm për rritjen e standardit të jetesës në Kosovë.

Gazetari dhe gjysmë-ekonomisti amerikan Henry Hazlitt e fillon librin e tij mbi nënshtrimin e varfërisë me kreativitetin e tij tipik letrar, “Historia e varfërisë është pothuajse historia e njerëzimit”.[35] Duke treguar se si shkrimtarët antikë kanë lënë pak shkrime mbi varfërinë, Hazlitt thotë se varfëria është pranuar “si e tillë” dhe si pjesë natyrale e njeriut. Uria masive ka qenë aq e zakontë sa që vetëm për rastet më ekstreme është shkruar. “Mbipopullimi” ka qenë arsyeja më e zakonshme për shpjegimin e kësaj varfëria kronike dhe ithtari më i madh i kësaj ideje ka qene famullitari i famshëm anglez Thomas R. Malthus. Malthusi e zhvilloi doktrinën e tij qendrore rreth mendimit që ekziston një prirje e vazhdueshme që rritja e popullsisë ta tejkaloj sasinë e ushqimit në dispozicion. Toni i tij pesimist i nxiti shkrimtarët tjerë ta quajnë ekonominë politike si “shkencën e zymtë”. Malthusi i shfaqi idetë e tij pesimiste mu në kohën kur ato do të demantoheshin.[36] Kur Revolucioni Industrial filloi dhe popullsia u shumëfishua brenda pak kohe, të gjithë ata që i kishin lënë fajin mbipopullimit për varfërinë filluan të harroheshin. Përmirësimi i mjeteve kapitale qoj në një rritje enorme të prodhimtarisë duke i bërë produktet që në atë kohë kishin qenë vetëm privilegje të aristokracisë të kapshme edhe për shtresat më të varfra. Me rritjen e prodhimtarisë, u rritën pagat reale dhe si rezultat edhe standardi i jetesës. Në vend se të fajësohej mbipopullimi, ekonomistët e kohës e kuptuan shpejtë që katalizator të zhdukjes së varfërisë ishin zhvillimi i mjeteve kapitale, ndarja e punës dhe shkëmbimi i lirë.[37] Jo vetëm në atë periudhë të nënshtrimit të varfërisë së skajshme, por edhe sot gjithkund në botë ku ka varfëri diagnoza mbetet e njëjtë: mungesë e mjeteve kapitale. Kosova nuk është rast i veçantë. Shkatërrimi në luftëra, kufizimi i lëvizjes, shoqërimit dhe shkëmbimit të lirë, konfiskimi i pronës dhe pengimi i akumulimit të pasurisë, kalimi nëpër një sistem socialist etj., janë vetëm disa nga arsyet pse akumulimi i kapitalit ka qenë tejet i penguar në Kosovë. Tani që po mbretëron një situatë relativisht paqësore, mundësia për ta rindërtuar kapitalin ka ardhur.

Kapitali, formësimi dhe zgjerimi i tij është studimi më i rëndësishëm në shkencën e ekonomisë. Çdo veprim ekonomik është veprim njerëzor i individëve të cilët përdorin mjete për t’i përmbushur dëshirat dhe nevojat në tentim për ta përmirësuar jetën e tyre. Në mënyrë që diçka të konsumohet ajo së pari duhet të prodhohet. Të gjitha të mirat përfundimtare dhe shërbimet e gatshme duhet të prodhohen disi dhe prodhimi i tyre zë vend tejet të rëndësishëm edhe në pjesën teorike edhe në atë biznesore kur flasim për ekonomi. Injorimi që revolucioni kejnsian i bëri faktorëve monetar i dha ngjyrim tjetër fjalës “kapital” duke e bërë atë pothuajse sinonim me paranë. Manipulimi i sistemit monetar nga shtetet dhe pasojat shkatërrimtare të këtij manipulimi tregojnë qartë që duhet të bëhet një dallim i theksuar në mes “kapitalit” si mjet i shkëmbimit dhe kapitalit si faktor i prodhimit. Rëndësia natyrisht mbetet tek kapitali si mjet i prodhimit, kurse roli i parasë është vetëm ai i shkëmbimit të atyre të mirave që mjetet kapitale i mundësojnë. Po qe se paraja do t’i zgjidhte problemet ekonomike, Zimbabve do të ishte shteti më i pasur në botë. Ajo assesi nuk mund të ketë rol më të rëndësishëm se të mirat kapitale dhe kjo duhet të ceket qartazi për shkak se është mister të cilin e kam vërejtur tek disa ekonomistë në Kosovë të cilët kanë shkruar në favor të investimeve të huaja. Prezenca e parasë nuk do të thotë patjetër prezencën e mjeteve kapitale dhe si e tillë duhet të lihet anash në diskutimin për përmirësimin e këtyre mjeteve. Më lartë u tha që varfëria është kryesisht rezultat i mungesës së mjeteve kapitale, por si mund të rindërtohen këto mjete?

Mjetet kapitale mund të vijnë në jetë apo të zgjerohen vetëm e vetëm nga një burim: kursimet. Kursimet janë abstenimet nga shpenzimi (konsumi) apo ruajtja e një pjese të ardhurave. Nxitja që i shtyn njerëzit të kursejnë është investimi dhe nxitja që i shtyn njerëzit të investojnë është që në të ardhmen të kenë hyra më të mëdha. Lidhja në mes kursimeve, investimit dhe zgjerimit të mjeteve kapitale është ndoshta lidhja më e rëndësishme në shkencën e ekonomisë. Megjithatë, faktor të rëndësishëm në këtë lidhje nuk mbeten vetëm këta. Faktor tejet i rëndësishëm është edhe elementi kohor. Është ligj themelor prakseologjik[38] që individi e preferon më shumë një sasi të caktuar të mirave tani se sa në të ardhmen. Nga ky ligj, apriori mund të kuptohet që të mirat e sodit kanë një vlerë të zbritur në të ardhmen. Kjo do të thotë që individët të cilët pranojnë t’i mos konsumojnë këto të mira sot, duhet të kompensohen me një shumë më të madhe të mirave në të ardhmen. Ky princip na sjellë tek fenomeni i interesit. Interesi është kompensimi që i epet kursimtarit i cili i nuk i konsumon të mirat e tij por i jep hua. Përcaktues i interesit, si element kohor, është një koncept tjetër i njohur si preferenca kohore. Preferenca kohore është balancimi në mes konsumit sot dhe kursimit për të ardhmen. Individi subjektivisht e përcakton preferencën kohore, sikur çdo vendim tjetër që e merr për të vepruar. Preferenca e lartë kohore nënkupton që individi është më i interesuar t’i konsumoj të mirat më herët se sa më vonë (në të ardhmen). Preferenca e ulët, në anën tjetër, nënkupton që individi subjektivisht e preferon një nivel më të ulët të konsumit sot dhe është më i prirë të kursej më shumë për të ardhmen. Aty ku preferencat kohore janë të larta, normat e interesit janë gjithashtu të larta sepse pak individë kanë kursyer dhe si rezultat pak kursime janë në dispozicion për t’u marrë hua. Aty ku preferencat kohore janë të ulëta, normat e interesit janë gjithashtu të ulëta për shkak të sasisë (relativisht) të madhe të kursimeve në dispozicion. Ashtu siç pamjaftueshmëria e produkteve nënkupton çmim më të lartë për to, edhe pamjaftueshmëria e kursimeve nënkupton normë më të lartë të interesit (në rrethanat normale kur norma e interesit nuk manipulohet nga banka qendrore). Norma e interesit është vetëm njëri prej çmimeve që ekzistojnë në treg dhe shërben si koordinator i prodhimit dhe konsumit përgjatë kohës. Duke qenë se interesi është element kohor, ai është gjithashtu i përbërë prej rrezikut i cili është gjithmonë prezent në të ardhmen e pasigurt.[39] Në rastin e huave, shembull i rrezikut mund të jetë pamundësia e huamarrësit ta kthej huan. Ky rrezik llogaritet subjektivisht dhe i bashkohet interesit. Në fund interesi është komponentë e preferencave kohore dhe rreziqeve në hua. Shpjegimi klasik ekonomik thotë që interesi formohet nga oferta dhe kërkesa për fondet që janë në dispozicion për tu dhënë ose marrë hua. Ky nuk është shpjegim i plotë për dy arsyeje; së pari për shkak se e anashkalon çështjen kyçe se nga vijnë ato fonde në rend të parë (preferenca e ulët kohore); dhe së dyti për shkak të gabimit kejnsian i cili e “barazon” paranë me të mirat kapitale apo konsumuese. Natyrisht, investimi i kursimeve nuk do të thotë që bëhet nga secili individ personalisht. Zakonisht janë biznesmenët ata të cilët i përdorin kursimet e dhëna hua për ta bërë përmirësimin ose zgjerimin e mjeteve kapitale. Individët bëhen pjesë e procesit të huadhënies dhe huamarrjes nëpërmes llogarive të kursimeve në bankat e tyre. Natyrisht, interesi në hua është faktori nxitës për individin, e jo mirëqenia e përgjithshme ekonomike e shoqërisë. Si me çdo rast tjetër ku nuk përdoret dhuna, ndjekja e interesit personal dhe përfitimit rezulton në një të mirë të përgjithshme–ligj ky ekonomik që është i pathyeshëm. Pra preferenca e ulët kohore e mundëson kursimin dhe pastaj investimin në mjetet e reja, produktiviteti i të cilave është më i madh dhe rezultati i përgjithshëm ekonomik i të cilave është ulja e çmimeve, rritja e pagave reale dhe rritja e standardit të jetesës.[40]

Megjithatë, ekziston një problem me preferencën e ulët kohore. Po qe se kursimi do të ishte aq i lehtë varfëria do të zhdukej shumë shpejtë. Kursimi është sakrificë dhe si i tillë është i shoqëruar me vështirësi. Njeriu gjithmonë e ka një diapazon të mirave të cilat i konsideron jetike. Pa ato të mira, njeriu jo vetëm që nuk mund ta jetoj një jetë relativisht të pasur por e rrezikon edhe vetë mbijetesën. Kur individi është i pasur vetëm aq sa të mund t’i siguroj këto të mira jetike, nevoja e cilave është pothuajse konstante, nuk mbetet hapësirë e mjaftueshme për kursim. Në ato shoqëri ku prodhimtaria është aq e ulët sa që standardi i jetesës është gjithashtu (relativisht) i ulët, kursimi bëhet tejet i vështirë sepse nënkupton abstenimin nga të mirat më thelbësore. Kosova është shembull klasik; një vend i pazhvilluar ekonomikisht në të cilin kursimi është tejet i vështirë. Edhe pse ka faktorë tjerë që e pengojnë akumulimin e kapitalit, vështirësia e preferencave të ulëta kohore prapë mbetet arsyeja kryesore. Kjo natyrisht i shpjegon edhe normat e larta të interesit. Por çka tani? Duke e parë se në Kosovë kushtet e zhvillimit të kapitalit janë tejet të vështira nëpërmes kursimeve, vetëm një mundësi tjetër mbetet si zgjidhje. Ajo mundësi nënkupton transferimin e kapitalit, i cili natyrisht është akumuluar nëpërmes kursimeve, nga regjionet e zhvilluara e në Kosovë.

Investimet e huaja janë rruga kryesore të cilën duhet ta ndjek Kosova për të dalë nga varfëria. Vetëm sjellja e kapitalit nga jashtë mund ta kompensoj shkallën mikroskopike të zgjerimit të tij nga brenda. “Sjellja” nuk nënkupton ndonjë akt shtetëror të veprimit kolektiv, por nënkupton hapjen e kufijve dhe largimin e pengesave të cilat shteti i ka vënë kundër investitorëve të huaj. Përfitimi është ai i cili gjithmonë e luan rolin rregullativ në ekonomi dhe këtë do ta bëjë edhe me investimet e huaja. Përfitimi i të huajve është i shumëfishtë; rroga të ulëta, moshën më të re në Evropë, një shoqëri që i flet disa gjuhë dhe një papunësi ekstreme e cila nënkupton fleksibilitet në tregun e punës. Pasuritë natyrale si dhe pozita e rëndësishme në Ballkan janë arsye shtesë që e bëjnë Kosovën vend tërheqës për investitorët e huaj.[41] Përfitimi i shoqërisë Kosovare, në anën tjetër, është mundësia për vende të reja të punës si dhe mbi të gjitha rritja në shkallën e prodhimtarisë që do të mundësohej nga mjetet e reja kapitale. Me ato mjete natyrisht do të vinte edhe njohuria praktike dhe trajnimet shtesë. Investimet e huaja e mundësojnë krijimin e një situatë të leverdishme për të gjithë dhe ajo situatë nënkupton përzierjen e mjeteve kapitale të cilat i sjellin investitorët e huaj me fuqinë punëtore dhe faktorët natyral që veç ekzistojnë në Kosovë. Vetëm ky kombinim mund të hap biznese të reja, vende të reja të punës, t’i vë në funksion një numër enorm të papunëve dhe t’i përdor me efikasitet burimet që ekzistojnë në Kosovë duke i larguar ato nga kontrolli joefikas dhe i korruptuar shtetëror. Rezultatet pozitive të këtij kombinimi do ta mundësonin pasurimin, duke e hapur kështu rrugën për kursime. Por pse nuk po ndodhë kjo? Janë disa arsye dhe për të gjitha duhet të fajësohet shteti.

Së pari, problemi është tek çështja e përgjithshme politike dhe pasiguria që të huajt e kanë kur është fjala për Kosovën. Shumë kanë besuar se investitorët e huaj do të nxiten të investojnë pas shpalljes së pavarësisë. Ky ka qenë dhe u dëshmua të jetë mendim i gabuar sepse merakosja e investitorëve nuk është se kujt i përket ky vend, Kosovës a Serbisë, por se a ka në këtë vend stabilitet politik në përgjithësi. Niveli enorm i korrupsionit dhe tentativat e zymta të qeveritarëve për ta përmirësuar gjendjen ekonomike, pa më befasuar mua, janë burim kryesor i skepticizmit që të huajt e kanë për Kosovën. Kësaj pastaj i shtohet mosfunksionimi i sistemit gjyqësor i cili i dekurajon investitorët sepse nuk i garanton atyre që së pari prona dhe kapitali i tyre do të jetë i sigurt dhe së dyti që kontestet biznesore që do të lindin në të ardhmen do të mund të zgjidhen. Këto të dyja janë probleme të përgjithshme të cilat janë trashëguar nga Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara dhe nuk do të përmirësohen për një kohë të gjatë. Ironia dhe tragjedia qëndron tek disa probleme shumë më të vogla të cilat mund të zgjidhen lehtë por për të cilat padituria dhe mungesa e vullnetit që ekziston tek politikanët e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë zgjidhje. Natyrisht zgjidhja nuk nënkupton veprimin e shtetit, por largimin e tij të plotë nga vendimmarrja. Shembull janë rastet më të thjeshta të korrupsionit për tenderët që kanë të bëjnë me rrugët apo me çfarëdo shpenzimi tjetër publik; vendime që duhet të kalojnë nëpër kanalet shtetërore. Pastaj pronësia shtetërore e minierave dhe tokave apo edhe ekzistenca e ndërmarrjeve publike të cilat janë monopole në fushat e tyre. Licencat e ndryshme apo akreditimet, marrja e të cilave duhet të kalojë nëpër komisione të ndryshme qesharake të cilat cak të vetëm e kanë shpërdorimin e fondeve dhe shantazhimin e investitorëve. Unë personalisht jam takuar me investitorë potencialë të cilët më kanë thënë se janë të lodhur nga kërkimi konstant i mitos që politikanët dhe burokratët e shtetit u kanë bërë atyre. Duket se madhësia dhe përfshirja e shtetit nuk lejon asnjë shkëmbim ekonomik të ndodhë pa përfshirjen e këtyre burokratëve të cilët e sabotojnë procesin në favor tyrin e në dëm të gjithë shoqërisë. Krahasojeni gjithë këtë cirkus me një situatë tjetër ku individët i marrin vendimet pa e dëmtuar tjetrin apo pronën e tij. Toka private do të shitej apo blihej lirshëm dhe askush nuk do të duhej të paguante taksa për komisionin i cili shet e i cili nuk ka fare interes për të përveç nëse mund ta vjedh. Bizneset e suksesshme në treg, të cilat do të mund të bliheshin nga investitorët e huaj me kapital dhe njohuri shtesë, nuk do të ishin peng i licencave por i kërkesave të konsumatorit. Hapja e universiteteve nuk do të varej nga procesi i ndyrë i akreditimit, por nga vlerat etike dhe profesionalizmi në fushën e edukimit që do të mund ta sjellin të huajt në garë me vendasit. Në vend se Kosova të izolohet duke u murosur nga shteti, investitorët e huaj të cilët në fund të fundit janë thjeshtë individë apo kompani me më shumë kapital dhe dëshirë për ta investuar do ta bënin këtë në favor të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Problemi natyrisht mbetet tek kjo paradigma e qytetarit tipik të Kosovës–“shteti nuk është i keq, por politikanët të cilat janë në krye të tij”. Siç është argumentuar deri më tani, problemi nuk është vetëm që politikanët janë të korruptuar, por që shteti vepron jashtë disa normave që janë kushtimisht të nevojshme për funksionimin e rregullt të shërbimeve të cilat synon t’i ofroj. Shoqëria është e përbërë prej individëve dhe secili individ e ndjek interesin e vet personal. Përderisa ky individ nuk i përdor format politike të pasurimit,[42] atëherë çdo shkëmbim i të mirave apo shërbimeve që i takojnë atij do të jetë i leverdishëm për të dy palët–ndryshe shkëmbimi nuk do të ndodhte fare. Shteti nuk vepron brenda këtij koncepti; çdo shërbim që e ofron nuk është fare shërbim sepse ofrohet me dhunë. Edhe për ato shërbime të cilat dikush mund t’i pëlqej dhe për të cilat madje nuk ka nevojë as të paguaj, shteti e përdor dhunën për t’i financuar kur i përvetëson të hyrat e individëve tjerë. Po qe se vetëm përdoruesit e atij shërbimi do të paguanin, atëherë nuk kemi të bëjmë me shtet fare por me një entitet privat, ashtu siç duhet të jetë. Se sa ka qenë i pasuksesshëm shteti në menaxhimin e burimeve që i ka pasur në pronësi tregon edhe vet procesi i privatizimit i cili është nxitur rishtazi. Në vend se t’i mbajnë këto burime dhe të vazhdojnë t’i keqpërdorin, politikanët kanë vendosur që megjithatë t’i largojnë nga duart e tyre para se të shemben plotësisht. Vetëm nëpërmes zvogëlimit drastik të shtetit do të mund të hapen rrugët e shkëmbimit të lirë ku investitorët e huaj do të mund ta sjellin kapitalin pa frikë. Përderisa shteti vazhdon t’i ketë 16 ministri që nuk bëjnë asgjë përpos që i shpërdorojnë paratë e taksapaguesve duke i penguar investitorëve e huaj, nuk do të mund të ketë proces të zhvillimit të kapitalit, të vendeve të reja të punës e të rritjes së standardit të jetesës.

Përfundim

Por cili është roli i shtetit? Nëse shteti ka rol produktiv në shoqëri, atëherë ai është ofrimi i shërbimeve të mbrojtjes (nga rreziqet e jashtme nëpërmes ushtrisë dhe nga rreziqet e brendshme nëpërmes policisë) si dhe zgjidhja e kontesteve nëpërmes gjykatave. Ky është definicioni i shtetit sipas liberalizmit klasik dhe i vetmi në të cilin dëmet e tij do të zvogëloheshin në minimum. Se si shteti i Kosovës mund të reduktohet në këtë nivel nga pikëpamja teknike është çështje tjetër e cila nuk i përket diskutimit ekonomik. Se sa janë fajtorë protektorati ndërkombëtar për këto pengesa e sa janë vendorët nuk mund të dihet, por patjetër që ndërkombëtarët si vendimmarrës duhet ta mbajnë mbi supe një pjesë më të madhe të fajit. Megjithatë, politikanët vendorë nuk mund të arsyetohen aspak sepse janë pikërisht ata të cilët me mos seriozitetin e tyre dhe padijeninë e kanë sjellë këtë situatë të tillë. Mbi të gjitha, shumë ndryshime pozitive mund të bëhen edhe përbrenda këtij kontrolli ndërkombëtar por vendorët nuk po i bëjnë. Loja e fajit është e pa rëndësishme kështu që edhe ndërkombëtarët edhe vendorët janë bashkërisht përgjegjës për zgjerimin e shtetit dhe efektet e tij negative në ekonomi.

Në ekonomi, ligji i pasojave të pa qëllimshme është njëri prej më të rëndësishmëve. Ai thotë që edhe nëse ka qëllime të mira, pasojat e një politike të caktuar mund të jenë të pa parashikuara dhe të rezultojnë në efekte krejtësisht negative. Edhe në ato raste kur ka burokratë të cilët kanë pak moral dhe dëshirojnë të bëjnë mirë, politikat e tyre mund dhe shpesh rezultojnë në dëme të cilat si kanë parashikuar.[43] Rast klasik janë rrogat minimale të cilat e kanë për qëllim rritjen e rrogave por shkaktojnë papunësi.

Është jetike që qytetarët e Kosovës t’i mëshojnë shkelm mitit që problemi është tek përzgjedhja e politikanëve të “duhur”. Problemi është tek shteti dhe çdo përfshirje e tij në planifikimin e shoqërisë duke e shtypur individin gjithmonë do të rezultojë negativisht. Vetëm zvogëlimi drastik i shtetit mund t’i zvogëlojë dëmet që ai i shkakton, duke e hapur kështu rrugën për një zhvillim ekonomik. Varfëria pothuajse ekstreme duhet të zhduket dhe qytetarët e Kosovës, e sidomos shqiptarët që kanë vuajtur me dekada, e meritojnë një standard më të lartë të jetesës. Ky standard mund të vijë vetëm nga shkëmbimi i lirë, respektimi i pronës private dhe dëshira për të punuar.

Autori është student i Administrimit të Biznesit dhe Menaxhmentit në Vjenë.



[1] Administrata Tatimore e Kosovës, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, Ligji nr. 03/L- 146.

[2] Murray N. Rothbard, Man, Economy, and State with Power Market, Ludwig von Mises Institute, botimi tretë, 2004, fq. 1156-1157.

[3] Ibid. fq. 1159.

[4] Murray N. Rothbard, “The Value-Added Tax Is Not The Answer,” Human Events, 11

mars 1973.

[5] Ibid.

[6] Murray N. Rothbard, Man, Economy, and State with Power Market, Ludwig von Mises Institute, botimi tretë, 2004, fq. 1171-1173.

[7] Ky është një shpjegim i shkurtër i teorisë së përparësisë krahasuese të zhvilluar nga ekonomisti i njohur i klasicizmit, David Rikardo. Shikojeni David Rikardo, On The Principles of Political Economy and Taxation, John Murray, 1821, Kap. 7.

[8] Gottfried Haberler, Theory of International Trade, William Hodge, 1936, fq. 249.

[9] Murray N. Rothbard, “Protectionism and the Destruction of Prosperity,” Ludwig von Mises Institute, 1986.

[10] James M. Buchanan, Cost and Choice: An Inquiry in Economic Theory, Liberty Fund, 1969.

[11] Enti i Statistikës së Kosovës (ESK), “Llogaritë Qeveritare”, 2004-2008.

[12] Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

[13] Koncepti i “sovranitetit të konsumatorit” është formulim i W. H. Hutt. Shikojeni William H. Hutt, Economists and the Public: A Study of Competition and Opinion, Transaction Publishers, 1990 dhe Ludwig von Mises, Human Action, Fox & Wilkes, botimi i katërt, 1996, fq. 269-273.

[14] Murray N. Rothbard, Man, Economy, and State with Power Market, Ludwig von Mises Institute, botimi tretë, 2004, fq. 593.

[15] Ibid. fq. 595.

[16] U.S. Postal Service, “Report for FY 2009-10,” 2009.

[17] Për një shpjegim të shkurtë të rëndësisë së pronës private nga pikëpamja etike dhe ajo ekonomike, shikojeni Hans-Hermann Hoppe, “Ethics and Economics of Private Property,” Edwarg Elgar, 2004.

[18] Steve H. Hanke, James Eatwell, Murray Milgate dhe Peter Newman, “Privatization,” Macmillan Press, 1987, fq. 976–977. Për krahasime shtesë të kostove të shërbimeve publike në krahasim me ato private, shikoni: James T. Bennett, Better Government at Half the Price, Gree Hill Publishing, 1980; Thomas erding, ed., Budgets vs. Bureaucrats: The Sources of Government Growth, Duke University Press, 1977; James T. Bennett and Thomas DiLorenzo, “On Weather Forecasting,” Journal of Labor Research, 1983; idem, Unfair Competition: The Profits of Non-Profits Hamilton Press, 1989; Robert Poole, Cutting Back City Hall, Reason Press, 1976; E.S. Savas, “Refuse Collection,” Journal of Urban Analysis, 1979.

[19] Murray N. Rothbard, Man, Economy, and State with Power Market, Ludwig von Mises Institute, botimi tretë, 2004, fq. 1260.

[20] Ibid. fq. 1260.

[21] Ludwig von Mises, Profit & Loss, Ludwig von Mises Institute, 2008.

[22] Për një diskutim të burokracisë dhe efekteve negative të menaxhimit shtetëror të ndërmarrjeve publike, shikojeni Ludwig von Mises, Bureaucracy, Yale University Press, 1946.

[23] Robert P. Murphy, “Does ‘Depression Economics’ Change the Rules?” Consulting by RPM, 2009.

[24] J. Patrick Gunning, “Mises on the Evenly Rotating Economy,” Review of Austrian Economics, Vol. III, Num. 1.

[25] Robert Higgs, “Regime Uncertainty: Why the Great Depression Lasted So Long and Why Prosperity Resumed after the War,” The Independent Review, Vol. 1. Num. 4.

[26] Përpos në telekomunikacion ku konkurrenca është më e mundshme, në asnjë fushë tjetër nuk ka alternativa private.

[27] Patrick Crozier, “Why British Railway Privatization Has Failed,” Libertarian Alliance, 2001.

[28] Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS) & Wolf Theiss, “Company Foundation, Taxes and Employment Law in Kosovo,” Publikime, Shtator 2007.

[29] Shembull janë lejet e qarkullimit në komunikacion.

[30] Për një analizë të veçantë të licencave në mjekësi, shikojeni Milton Friedman, Capitalism and Freedom, Chicago University Press, 1962, fq. 141-160.

[31] Murray N. Rothbard, Man, Economy, and State with Power and Market, Ludwig von Mises Institute, 2004, botimi i tretë, fq. 1096.

[32] Bardhyl Salihu, “Anti-Trust Laws: Are They Necessary?” Ideas on Liberty (ideasonliberty.blogspot.com), 29 prill 2010.

[33] Për një studim të funksionimit të rrugëve private, shikojeni Walter Block, The Privatization of Roads and Highways, Ludwig von Mises Institute, 2006.

[34] Ludwig von Mises, Economic Policy, Regnery/Gateway, 1979, fq. 78.

[35] Henry Hazlitt, The Conquest of Poverty, Foundation for Economic Education, 1973, fq. 13

[36] Ibid. fq. 14.

[37] I famshmi Adam Smith i përmblodhi këto mendime në një vend kur e botoi librin e tij mbi pasurinë e kombeve më 1776. Për një studim të mendimit ekonomik para Smith, shikojeni Murray N. Rothbard, Economic Thought Before Adam Smith, Ludwig von Mises Institute, 1995, Vol. I & II.

[38] Prakseologjia është shkenca që merret me studimin e veprimit njerëzor. Shikojeni George A. Selgin, Praxeology & Understanding, Ludwig von Mises Institute, 1988.

[39] Frank H. Knight, Risk & Uncertainty, Hart, Schaffner & Marx, 1921.

[40] Ky është shpjegim i shkurtë i teorisë së kapitalit e cila në vete i ngërthen konceptet e preferencës kohore, kursimit, interesit, investimit dhe në fund zgjerimit të prodhimit. Për një shtjellim të plotë dhe të saktë, shikojeni këta autorë: Ludwig von Mises, Human Action, Fox & Wilkes, botimi i katërt, 1996, fq. 257-537 dhe fq. 587-646; Murray N. Rothbard, Man, Economy, and State, Ludwig von Mises Institute, botimi i tretë, 2004, fq. 233-557; F.A. Hayek, Prices & Production, Ludwig von Mises Institute, 2008, fq. 131-305 dhe fq. 487-528; L. Albert Hahn, Common Sense Economics, Ludwig von Mises Institute, 2010, fq. 1-105; Israel Kirzner, Market Theory and the Price System, D. Van Nostrand, 1963, fq. 142-183; Ludwig Lachman, Capital and Its Structure, Bell & Sons, 1953; Eugen von Böhm-Bawerk, Capital and Interest, MacMillan, 1890; George Reisman, Capitalism, Jameson Books, 1996, fq. 123-135 dhe fq. 542-673; Frank A. Fetter, Capital, Interest, and Rent, Sheed Andrews and McMeel, 1977;

[41] Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS), Broshura “Investing in Kosovo 2009,” 2009.

[42] Ekzistojnë vetëm dy forma të pasurimit, ajo politike dhe ajo ekonomike. Forma politike e pasurimit nënkupton dhunën, kërcënimin me dhunë, apo mashtrimin. Forma ekonomike nënkupton shkëmbimin paqësor e vullnetar që ndodh në mes individëve të lirë. Ajo e para është modus operandi që e ndjek shteti. Shikojeni Franz Oppenheimer, The State, Vangauard Press, 1908.

[43] Lowell Gallaway, “Some Austrian Perspectives on Unintended Consequences,” Review of Austrian Economics, Vol. X, Num. 2